Ryanair ka njoftuar se duke nisur nga data 10 nëntor 2026 do të zbatojë rregullin e ri të 20 minutave në aeroportet ku operon.
Por çfarë do të thotë konkretisht ky ndryshim për pasagjerët dhe përse ata rrezikojnë të humbasin avionin?
Rregulli i ri lidhet me afatin e dorëzimit të bagazheve dhe kryerjes së procedurave të check-in në aeroport, të cilat tashmë duhet të përfundojnë më herët.
Deri më tani, pasagjerët e Ryanair kishin mundësi të dorëzonin bagazhet deri në 40 minuta përpara nisjes së planifikuar të avionit.
Por nga 10 nëntori, sportelet do të mbyllen 60 minuta përpara nisjes, duke u hequr udhëtarëve 20 minuta nga koha që kishin më parë në dispozicion.
Për ta kuptuar më thjesht, nëse një fluturim është planifikuar të niset në orën 12:00, pasagjeri duhet ta ketë dorëzuar bagazhin përpara orës 11:00, ndërsa me rregullin e mëparshëm kishte kohë deri në orën 11:20.
Nëse mbërrin në sportel pas këtij afati, edhe pse avioni nuk është nisur ende, pasagjeri rrezikon të mos pranohet për dorëzimin e bagazhit dhe për pasojë të humbasë fluturimin.
Rregulli zbatohet për udhëtarët që kanë bagazhe të regjistruara prej 10, 20 ose 23 kilogramësh, si edhe për ata që duhet të kryejnë check-in në aeroport.
Ndërkohë, pasagjerët që kanë kryer check-in online dhe udhëtojnë vetëm me bagazh dore nuk preken nga ndryshimi.
Drejtori i marketingut të Ryanair, Dara Brady, shpjegoi se masa synon t’u japë udhëtarëve më shumë kohë për të kaluar kontrollet e sigurisë dhe të pasaportave, veçanërisht gjatë periudhave kur aeroportet përballen me fluks të lartë.
Sipas kompanisë, ndryshimi prek rreth 20% të pasagjerëve që dorëzojnë bagazhe në aeroport, ndërsa pjesa tjetër prej 80% që regjistrohen online dhe udhëtojnë pa bagazhe për në stivë nuk ndikohet.
Megjithatë, rregulli i ri mund të krijojë probleme për udhëtarët në aeroportet ku ka radhë të gjata dhe një numër të kufizuar sportelesh për disa fluturime.
Ndryshimi do të zbatohet në të gjitha aeroportet ku operon Ryanair, përfshirë edhe aeroportin e Tiranës.
Kompania u ka bërë thirrje pasagjerëve që të paraqiten në aeroport në kohë, duke rekomanduar mbërritjen të paktën dy orë përpara nisjes së planifikuar të avionit, për të shmangur rrezikun e humbjes së fluturimit. /skyweb.al
















