Prodhimi i vajit të ullirit në Greqi po përballet me vështirësi për shkak të mungesës së punëtorëve migrantë dhe rritjes së kostove të prodhimit. Vonesat në procedurat për pajisjen me leje pune po i lënë fermerët pa fuqinë punëtore të nevojshme për të përfunduar vjeljen.
Sipas mediave greke, pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2022 me Bangladeshin për punësimin e punëtorëve, procedurat vijojnë të jenë të ngadalta. Në ambasadën greke në Nju Delhi, vetëm dy punonjës po përpunojnë rreth 20 mijë aplikime të ardhura nga India, Bangladeshi, Sri Lanka dhe Nepali.
Ndërkohë, kostot e punës janë rritur ndjeshëm. Sipas prodhuesve, pagesa ditore për një punëtor ka arritur në 70 deri në 80 euro, pa përfshirë shpenzimet për strehimin dhe ushqimin.
Situata rëndohet edhe nga rënia e çmimit të vajit të ullirit, i cili nga rreth 8 euro për kilogram ka zbritur në 3.20 deri në 3.40 euro. Kjo e bën vjeljen gjithnjë e më pak fitimprurëse, veçanërisht për fermat e vogla.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Kooperativave Bujqësore, sektori ka nevojë për 70 mijë deri në 80 mijë punëtorë çdo vit.
Pasojat janë reflektuar edhe në prodhim. Manolis Giannoulis, president i Organizatës Ndërprofesionale të Vajit të Ullirit, deklaron se rreth 10% e prodhimit të këtij viti ka mbetur pa u vjelë në pemë, për shkak të kostove të larta dhe mungesës së punëtorëve.
Të dhënat e Rojës Bregdetare greke tregojnë se rreth 7,200 shtetas nga Bangladeshi kanë mbërritur në Kretë dhe Gavdos gjatë vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026. Megjithatë, nevojat e sektorit bujqësor për fuqi punëtore mbeten të larta. /skyweb.al















