Një sulm i dyshuar kibernetik që ka prekur sistemet e frigoriferëve dhe ngrirësve në disa supermarkete europiane ka rikthyer shqetësimin për sigurinë e pajisjeve të lidhura me internetin, nga aparatet elektroshtëpiake deri te makineritë industriale, shkruan BBC.
Pajisjet inteligjente, si frigoriferët, sistemet e ngrohjes dhe lavatriçet, mund të kontrollohen nga distanca përmes internetit. Por kjo lehtësi mund të shoqërohet edhe me rreziqe, pasi çdo pajisje e lidhur në rrjet mund të bëhet objektiv i sulmeve kibernetike, nëse ka dobësi në sistemet e sigurisë.
Ekspertët theksojnë se kjo nuk do të thotë se pajisjet mund të hakohen lehtësisht, pasi prodhuesit e mëdhenj investojnë në mbrojtjen e tyre. Megjithatë, raste të mëparshme kanë treguar se dobësitë ekzistojnë. Në vitin 2015, studiuesit zbuluan një cenueshmëri në një frigorifer inteligjent Samsung, që mund të lejonte përgjimin e komunikimeve në internet.
Ish-drejtuesi i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike në Britani, Ciaran Martin, u bëri thirrje prodhuesve të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e pajisjeve që tregtojnë. Ai këshilloi gjithashtu konsumatorët të instalojnë përditësimet e sigurisë dhe të aktivizojnë verifikimin me shumë faktorë, kur kjo mundësi është e disponueshme.
Studiuesit kanë identifikuar më shumë se 800 ndërfaqe të sistemeve të ftohjes dhe kontrollit të ndërtesave, të lidhura me rrjetin e supermarketeve britanike, të cilat mund të aksesohen përmes internetit publik. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato mund të hakohen, por mund t’i ekspozojë ndaj sulmeve që shfrytëzojnë fjalëkalime të dobëta ose probleme në softuer.
Rreziku nuk kufizohet vetëm te supermarketet. Teknologjia e lidhur me internetin përdoret edhe në automjete, centrale elektrike dhe rrjete të furnizimit me ujë. Ekspertët paralajmërojnë se ndërhyrjet në këto sisteme mund të shkaktojnë pasoja përtej dëmtimit të të dhënave, duke ndikuar edhe në funksionimin e pajisjeve dhe infrastrukturës fizike.
Një rast i tillë u regjistrua në Britani në maj të vitit 2025, kur sulmet me programe keqdashëse ndaj rrjeteve të supermarketeve M&S dhe Co-op shkaktuan probleme në furnizimin e dyqaneve me produkte, duke lënë përkohësisht bosh disa rafte.
Sipas ekspertëve, sfida kryesore është që siguria kibernetike të ecë me të njëjtin ritëm me zhvillimin e teknologjisë. Një pajisje e lidhur në internet mund të ofrojë më shumë komoditet, por nëse nuk mbrohet siç duhet, mund të kthehet në një pikë të dobët për biznese dhe shërbime jetike. /skyweb.al
















