Qeveria ka shtyrë për pas vitit 2030 ndërtimin e hekurudhës Durrës–Prishtinë, një nga projektet më të rëndësishme të lidhjes infrastrukturore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Vendimi pasqyrohet në Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planin e Veprimit 2030. Sipas dokumentit, për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës–Prishtinë nevojiten 750 milionë euro, por qeveria nuk ka identifikuar ende burimet e financimit.
Për këtë arsye, projekti është zhvendosur jashtë planit të investimeve për periudhën 2026–2030, duke u përfshirë në listën e projekteve që parashikohen të realizohen pas vitit 2030.
Në tabelën zyrtare, viti i planifikuar për nisjen e projektit është 2031, ndërsa për përfundimin e tij nuk jepet asnjë afat konkret.
Si arsye për shtyrjen, dokumenti përcakton shprehimisht mungesën e financimit dhe fillimin e planifikuar pas vitit 2030.
Kjo do të thotë se hekurudha që synon të lidhë portin e Durrësit me Prishtinën mbetet për momentin një projekt afatgjatë, pa një kalendar të përcaktuar për realizimin e saj.
Hekurudha Durrës–Prishtinë mbetet jashtë investimeve prej 4.45 miliardë eurosh
Shtyrja merr rëndësi të veçantë pasi Strategjia e re e Transportit parashikon investime të përgjithshme prej rreth 4.45 miliardë eurosh gjatë periudhës 2026–2030.
Megjithatë, projekti i hekurudhës Shqipëri–Kosovë nuk është përfshirë në këtë shumë dhe nuk ka financim të programuar në kuadër të planit pesëvjeçar.
Ndërkohë, qeveria ka parashikuar investime të konsiderueshme për rehabilitimin e hekurudhave drejt Vlorës, Pogradecit dhe Hanit të Hotit, si dhe për lidhjen hekurudhore me aeroportet e Tiranës dhe Vlorës.
Për rehabilitimin e linjës Vorë–Hani i Hotit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, janë planifikuar rreth 375.8 milionë euro, ndërsa për hekurudhën Rrogozhinë–Pogradec/Rrajcë drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut parashikohen 297.5 milionë euro.
Nga ana tjetër, hekurudha Durrës–Prishtinë është vendosur në aneksin e projekteve jashtë horizontit të Planit të Veprimit 2026–2030.
Në këtë aneks janë përfshirë gjithsej 10 projekte infrastrukturore, me një kosto të kombinuar prej 2.56 miliardë eurosh, të cilat kanë mungesë financimi ose nuk plotësojnë kushtet e programimit brenda periudhës.
Mes tyre figurojnë edhe segmente të Korridorit Adriatiko-Jonian, si dhe hekurudha Pogradec–Korçë–kufiri me Greqinë.
Strategjia përcakton se këto projekte do të programohen për zbatim në përputhje me procedurat e investimeve publike, pasi të identifikohen burimet e financimit.
Për hekurudhën Durrës–Prishtinë, kjo do të thotë se ndërtimi nuk parashikohet të nisë përpara vitit 2031, ndërsa realizimi i tij mbetet i varur nga sigurimi i 750 milionë eurove të nevojshme.
Projekti vazhdon të jetë pjesë e vizionit afatgjatë të transportit, por strategjia e miratuar nuk përcakton ende se kur Shqipëria dhe Kosova do të lidhen realisht përmes hekurudhës. /skyweb.al















