Zëvendësimi i kripës së zakonshme me një alternativë të pasuruar me kalium mund të parandalojë afro 3 milionë vdekje çdo vit në mbarë botën, sipas një studimi të ri të publikuar nga studiuesit e “The George Institute for Global Health” në Australi.
Studimi, i zhvilluar në 193 vende, vlerëson se kalimi global drejt kripës me përmbajtje kaliumi mund të parandalojë rreth 2.96 milionë vdekje dhe mbi 10 milionë raste të reja të sëmundjeve kardiovaskulare dhe atyre kronike të veshkave çdo vit.
Kjo alternativë prodhohet duke zëvendësuar një pjesë të klorurit të natriumit në kripën e zakonshme me klorur kaliumi. Ajo ka pamje dhe shije të ngjashme me kripën tradicionale, por ndihmon në uljen e konsumit të natriumit dhe rritjen e marrjes së kaliumit, dy faktorë që ndikojnë në tensionin e gjakut.
Sipas studiuesve, edhe një zëvendësim i pjesshëm do të sillte përfitime të konsiderueshme. Vetëm ndryshimi i kripës që përdoret në gatimin në shtëpi mund të parandalonte rreth 1.85 milionë vdekje në vit.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se kjo alternativë nuk është e përshtatshme për të gjithë. Personat me sëmundje të avancuara të veshkave dhe ata që përdorin medikamente të caktuara mund të rrezikojnë rritjen e tepërt të kaliumit në gjak. Për këtë arsye, përdorimi duhet të shoqërohet me informim dhe këshillim mjekësor.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka mbështetur përdorimin e kripës së pasuruar me kalium që në vitin 2025, si një mënyrë për të ulur tensionin e gjakut dhe rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. /skyweb.al
















