Australia do të vendosë rregulla më të rrepta për prodhuesit e kremrave kundër diellit, pas një skandali që çoi në tërheqjen nga tregu të disa markave të njohura, të cilat nuk ofronin nivelin e mbrojtjes të deklaruar në etiketë.
Reformat e propozuara nga Administrata e Mallrave Terapeutike (TGA) parashikojnë kontrolle më të forta dhe kërkesa shtesë për testimin e përbërësve dhe produkteve përfundimtare.
Vendimi vjen pas një raporti të publikuar në qershor 2025 nga organizata konsumatore Choice, sipas të cilit 16 nga 20 kremrat e testuar nuk përmbushnin nivelin e faktorit mbrojtës SPF të reklamuar. Mes tyre kishte edhe marka premium me çmime të larta.
Një prej rasteve më të bujshme ishte produkti “Lean Screen Skinscreen” i kompanisë Ultra Violette, i reklamuar me SPF 50+, por që sipas testimeve ofronte vetëm SPF 4. Produkti u tërhoq vullnetarisht nga tregu.
Sipas rregullave të reja, prodhuesit do të duhet t’i dorëzojnë TGA-së të dhënat e testimeve përpara se të regjistrojnë produktet, si dhe të kryejnë kontrolle periodike gjatë gjithë kohës që ato qëndrojnë në treg. Gjithashtu, do të kufizohen pretendimet për nivelin e mbrojtjes SPF te produktet kozmetike.
“Reformat synojnë t’i bëjnë pretendimet për SPF më të besueshme dhe t’i japin agjencisë akses më të shpejtë në prova kur lindin shqetësime”, deklaroi këshilltarja kryesore mjekësore e TGA-së, Robyn Langham.
Skandali shkaktoi reagime të forta në Australi, vendi që regjistron nivelin më të lartë të kancerit të lëkurës në botë. Si pasojë, më shumë se një duzinë produktesh u tërhoqën nga raftet ose iu pezulluan shitjet. Rregullat e reja pritet të zbatohen në disa faza. /skyweb.al
















