Vlerësimi për gjendjen shëndetësore mes të rinjve në Bashkimin Evropian mbetet në nivele mjaft pozitive, ku për vitin 2025, plot 89.7% e personave të moshës 16 deri në 29 vjeç kanë raportuar se e perceptojnë shëndetin e tyre si të mirë ose shumë të mirë.
Sipas Eurostat, ky tregues është dukshëm më i lartë se mesatarja e popullsisë së përgjithshme prej 16 vjeç e lart, ku vetëm 67.9% e qytetarëve japin të njëjtin vlerësim. Përgjatë viteve të fundit, kjo përqindje ka ruajtur një stabilitet të qëndrueshëm, duke shënuar vetëm një ulje minimale nga niveli prej 91.1% që regjistrohej në vitin 2021. Sa i përket përkatësisë gjinore, të dhënat tregojnë se djemtë e rinj priren të jenë pak më optimistë se vajzat për shëndetin e tyre.
Më konkretisht, 90.9% e të rinjve të seksit mashkullor të moshës 16-29 vjeç e kanë vlerësuar shëndetin si të mirë apo shumë të mirë, përkundrejt 88.4% të vajzave në të njëjtën grupmoshë. Paralelisht me gjininë, një ndikim të drejtpërdrejtë në këtë perceptim luan edhe niveli i të ardhurave familjare. Në familjet me të ardhura më të ulëta, që i përkasin kuintilit të parë, 85.6% e të rinjve shprehen se gëzojnë shëndet të mirë, ndërsa te familjet me të ardhura më të larta, në kuintilin e pestë, kjo shifër arrin deri në 93.7%.
Në shkallë kontinentale, perceptimi për shëndetin ndryshon ndjeshëm nga njëri shtet në tjetrin. Në 14 vende anëtare të BE-së, më shumë se 90% e të rinjve raportojnë shëndet optimal. Renditja evropiane udhëhiqet nga Rumania me 98.2%, e ndjekur nga Greqia me 98.1% dhe Kroacia me 95.9%. Në krahun tjetër, përqindjet më të ulëta ndërmjet vendeve anëtare janë regjistruar në Suedi me 74.4%, në Holandë me 79.8% dhe në Finlandë me 81.4%.
Në këtë panoramë rajonale dhe evropiane, Shqipëria pozicionohet mjaft lart në renditje. Me 95.8% të të rinjve të moshës 16-29 vjeç që e vlerësojnë shëndetin e tyre si të mirë ose shumë të mirë, Shqipëria ndan të njëjtit tregues me Serbinë (95.8%) dhe renditet menjëharë pas vendeve me përqindjet më të larta në Evropë, si Kroacia dhe Greqia.

Kjo shifër e vendos Shqipërinë dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian dhe përpara shteteve të tjera partnere si Turqia, e cila shënon 88.4%, apo Norvegjia me 82.4%. /skyweb.al















