Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar terapinë e kompanisë farmaceutike Inovio Pharmaceuticals për trajtimin e një sëmundjeje të rrallë të rrugëve të frymëmarrjes. Ky është produkti i parë i miratuar për përdorim i kompanisë, lajmi i cili solli rritjen e aksioneve të saj me 257% në tregtimin pas mbylljes së bursës.
Terapia, e quajtur INO-3107 dhe e tregtuar me emrin Voceryq, synon trajtimin e papillomatozës respiratore të përsëritur, një sëmundje që shkakton formimin e rritjeve në fyt dhe në rrugët e frymëmarrjes.
Sëmundja lidhet zakonisht me tipet 6 dhe 11 të virusit të papillomës humane (HPV). Edhe pse formacionet nuk janë kancerogjene, ato mund të rikthehen pas trajtimit dhe të ndikojnë në aftësinë e pacientëve për të folur dhe për të marrë frymë.
Deri më tani, trajtimi kryesor ka qenë heqja kirurgjikale e formacioneve. Megjithatë, për shkak të përsëritjes së shpeshtë të tyre, shumë pacientë kanë nevojë për disa ndërhyrje gjatë vitit. Operacionet e përsëritura mbartin gjithashtu rrezikun e dëmtimit të përhershëm të kordave vokale.
Sipas kompanisë Inovio, terapia Voceryq pritet të jetë e disponueshme për porosi dhe shpërndarje brenda rreth 60 ditësh, ndërsa hedhja e plotë në treg është planifikuar për tremujorin e parë të vitit 2027.
Miratimi u mbështet në rezultatet e një studimi të fazës së hershme deri në atë të ndërmjetme, ku morën pjesë pacientë të rritur që kishin kryer të paktën dy ndërhyrje kirurgjikale gjatë vitit paraardhës.
Vitin e kaluar, një tjetër kompani farmaceutike, Precigen, mori miratimin në SHBA për ilaçin Papzimeos, duke u bërë trajtimi i parë i miratuar për këtë sëmundje.
Drejtoresha ekzekutive e Inovio, Jacqueline Shea, shpjegoi për Reuters se Voceryq ndryshon nga Papzimeos për nga mënyra e veprimit. Ndërsa Papzimeos përdor një virus të modifikuar për të nxitur përgjigjen imunitare, Voceryq është një imunoterapi e bazuar në ADN.
Të dyja terapitë synojnë të nxisin sistemin imunitar të reagojë ndaj tipeve 6 dhe 11 të HPV-së, por përmes mekanizmave të ndryshëm.
Sipas Shea, një nga objektivat kryesorë të trajtimit është ulja e nevojës për ndërhyrje kirurgjikale dhe kufizimi i rreziqeve që shoqërojnë operacionet e përsëritura. /skyweb.al
















