Falimentimi i kompanisë Character.AI ka ngritur shqetësime për sigurinë e të dhënave personale dhe bisedave private që miliona përdorues kanë zhvilluar me chatbot-et e saj, shkruan BBC.
Ekspertët paralajmërojnë se mesazhet dhe informacionet personale mund të përfundojnë në duart e blerësve të rinj, nëse kompania shet të dhënat për shkak të vështirësive financiare.
Character.AI ka rënë dakord të shesë disa prej aseteve të saj te Disney për 20 milionë dollarë, ndërsa të dhënat e përdoruesve nuk përfshihen në këtë marrëveshje. Megjithatë, dokumentet gjyqësore parashikojnë mundësinë e shitjes së tyre te subjekte të tjera.
Sipas ekspertëve, rreziku është veçanërisht i madh pasi përdoruesit shpesh ndajnë me chatbot-et informacione intime, shqetësime personale dhe sekrete. Të dhënat mund të përdoren më pas për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale, krijimin e algoritmeve dhe reklama të personalizuara.
Shqetësimet shtohen edhe për shkak të përdorimit të platformës nga fëmijët dhe adoleshentët. Kompania është përballur me procese gjyqësore pas rasteve të rënda ku komunikimet me chatbot-et janë lidhur me pasoja tragjike për të miturit.
Ekspertët paralajmërojnë se rasti Character.AI nxjerr në pah një problem më të gjerë: çfarë ndodh me të dhënat personale kur kompanitë e inteligjencës artificiale falimentojnë dhe informacionet e përdoruesve kalojnë në duart e pronarëve të rinj. /skyweb.al
















