Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nga viti i ardhshëm shkollor, do të zgjatet orari i qëndrimit të fëmijëve në shkolla deri në orën 17:00.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama tha se kjo masë synon të lehtësojë prindërit që janë në marrëdhënie pune, ndërsa për fëmijët do të krijohen më shumë mundësi për t’u angazhuar në aktivitete kulturore, sportive dhe sociale.
Sipas kryeministrit, përveç sportit dhe kulturës, aktivitetet do të përfshijnë edhe artet skenike, pikturën, fotografinë dhe zejet, me synimin për të nxitur socializimin dhe zhvillimin e aftësive të fëmijëve.
“Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet që prindërit të punojnë dhe fëmijët do të jenë në shkollë deri në 5 pasdite”, deklaroi Rama.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile për të zgjeruar gamën e aktiviteteve që u ofrohen fëmijëve.
“Tjetra është puna që duhet bërë bashkërisht mes nesh e shoqërisë civile për të rritur gamën e aktiviteteve sociale të fëmijëve nga sporti te kultura, në mes të të cilave janë të gjitha pjesët që kanë të bëjnë me skenën, pikturën, zejet, fotografinë e me radhë”, u shpreh kryeministri.
















