Gjatë ditëve të fundit, në media janë publikuar dokumente dhe denoncime për raste korrupsioni në doganat shqiptare, veçanërisht në atë të Durrësit, ku përshkruhet një skemë pagesash për kalimin e mallrave me parregullsi dhe shmangien e kontrolleve doganore.
Në një dokument ankese drejtuar strukturave përgjegjëse të hetimit, të cilin e ka parë skyweb.al, jepen edhe shifrat konkrete të ryshfeteve që pretendohet se paguhen për secilën kategori mallrash dhe për procedura të caktuara doganore.
Për çdo furgon me mallra të ardhura nga Anglia, tarifa e ryshfetit është 500 euro, ndërsa për kamionët me ngarkesa që nuk plotësojnë kriteret e importit apo kanë dokumentacion të parregullt, shuma arrin nga 8 mijë deri në 10 mijë euro.
Në këtë kategori përfshihen ngarkesat me pije energjike, cigare elektronike dhe produkte të tjera që kalojnë nëpërmjet faturave të falsifikuara, duke shmangur kontrollet dhe detyrimet përkatëse.
Një tjetër rast lidhet me procedurën e asgjësimit të katër kontejnerëve me mallra në Doganën e Durrësit.
Për këtë operacion, denoncimi përmend një ryshfet prej 150 mijë eurosh, të paguar për të shmangur shkatërrimin real të mallrave dhe për të mbyllur procedurën në dokumentacion.
Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme, ndërsa rasti ngre pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të mallrave që deklarohen për asgjësim dhe kontrollin e mëvonshëm të tyre.
Skema përfshin edhe automjetet e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për çdo automjet, shuma e ryshfetit është 200 euro, kundrejt uljes artificiale të vlerës së deklaruar në doganë.
Vlera e këtyre automjeteve në disa raste rezulton të jetë reduktuar me mbi 50%, duke sjellë edhe uljen e detyrimeve doganore që duhet të paguhen në buxhetin e shtetit.
Dokumenti përshkruan një mekanizëm ku pagesat mblidhen përmes strukturave vendore të doganave, ndërsa drejtuesit dhe punonjësit përballen me presion për të lejuar kalimin e ngarkesave.
Përveç Durrësit, në denoncime përmendet edhe Dogana e Kapshticës, veçanërisht për kalimin e kamionëve me produkte ushqimore dhe mallra të tjera. /skyweb.al















