Lavdie Smone ka punuar si pastruese në kompleksin luksoz White Rocks në Dhërmi, ku, sipas deklarimeve të saj, kryente shërbime në gjashtë vila të familjeve të ndryshme.
Një prej tyre ishte vila në pronësi të Igli Tares, e cila disa vite më parë frekuentohej herë pas here për pushime verore edhe nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Në dëshminë e dhënë para agjentëve të BKH-së, pastruesja ka mohuar të kishte dijeni për fotografinë e kutisë me euro, të gjetur në telefonin e saj.
E pyetur për fotografinë, ku shfaqen tufa kartëmonedhash 50-euroshe, Lavdie Smone ka deklaruar se nuk e kishte parë asnjëherë më parë dhe nuk e dinte që ndodhej në celularin e saj.
“Pasi u njoha mund të them se nuk e kam parë kurrë këtë foto. Nuk e di që kjo foto ndodhet në telefonin tim. Unë ju tregova se telefonin tim e ka përdorur edhe vajza. Nuk e di çfarë është kjo foto dhe nuk e kam parë kurrë”, është shprehur ajo.
Fotografia mban datën 17 korrik 2021 dhe rezulton të jetë dërguar përmes aplikacionit WhatsApp nga kontakti i regjistruar me emrin “Babi”, i cili është identifikuar si bashkëshorti i saj, Lavdrim Smone.
E pyetur nga hetuesit për këtë fakt, pastruesja ka përsëritur se nuk kishte dijeni për fotografinë.
“Nuk di çfarë të them. Nuk e kam parë kurrë këtë foto”, ka deklaruar ajo.
Hetuesit e kanë pyetur gjithashtu nëse ishte në gjendje të identifikonte vendin ku mund të ishte realizuar fotografia.
“Jo nuk kam dijeni. Nuk e dalloj dot nga kaq sa shoh”, është përgjigjur Lavdie Smone.
Kështu, nga dëshmia e saj rezulton se pastruesja nuk ka konfirmuar as autorësinë dhe as vendin ku është realizuar fotografia me tufat e eurove.
Ajo ka theksuar se nuk e kishte parë më parë imazhin, pavarësisht se fotografia ishte gjetur në celularin e saj, të cilin, sipas deklarimit, e përdorte edhe vajza.
Dëshmia e plotë e Lavdie Smones
Pyetje: Po ju vendosim në dispozicion një fotot të gjetur në telefonin tuaj, në të cilën shfaqet një kuti e kuqe me tufa kartmonedhash 50 euroshë. Çfarë mund të na thoni për këtë foto?
Përgjigje: Pasi u njoha mund të them se nuk e kam parë kurrë këtë foto. Nuk e di që kjo foto ndodhet në telefonin tim. Unë ju tregova se telefonin tim e ka përdorur edhe vajza. Nuk e di çfarë është kjo foto dhe nuk e kam parë kurrë.
Pyetje: Foto e mësipërme ka datën 17.7.2021 dhe është dërguar në aplikacionin “ëhatsapp” nga kontakti i regjistruar me emrin “Babi” i cili rezulton të jetë shtetasi Lavdrim Smone. Çfarë mund të na thoni lidhur me këtë fakt?
Përgjigje: Nuk di çfarë të them. Nuk e kam parë kurrë këtë foto.
Pyetje: Pasi u njohët me foton keni dijeni se ku mund të jetë bërë foto?
Përgjigje: Jo nuk kam dijeni. Nuk e dalloj dot nga kaq sa shoh.
Pyetje: Keni gjë për të shtuar?
Përgjigje: Jo nuk kam.
















