Milano, një nga qytetet më të ndotura të Evropës, pritet të marrë një transformim të gjelbër. Gjatë katër viteve të ardhshme, në qytet do të mbillen 3 milionë pemë dhe shkurre të reja, me synimin për të ulur ndotjen e ajrit, për të përmirësuar cilësinë e jetesës dhe për të krijuar më shumë hapësira të gjelbra.
Sipas renditjes së publikuar nga IQAir në tetor, Milano u rendit në vendin e shtatë ndër qytetet më të ndotura në botë, duke qenë i vetmi qytet evropian në dhjetëshen e parë. Ndotja lidhet pjesërisht me pozicionin gjeografik në ultësirën e lumit Po, ku qarkullimi i kufizuar i ajrit favorizon grumbullimin e ndotësve, si dhe me aktivitetin industrial dhe bujqësor të rajonit.
Projekti Forestami, i nisur në vitin 2019 dhe i krijuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, ka mbjellë deri më tani afro 640 mijë pemë dhe shkurre. Nisma synon zgjerimin e gjelbërimit në rrugë, çati dhe fasada ndërtesash, duke ndihmuar në filtrimin e grimcave të imëta të pluhurit dhe në uljen e temperaturave urbane.
Një tjetër vlerësim i rëndësishëm erdhi më 29 tetor, gjatë Konferencës së OKB-së për Biodiversitetin (COP17), në Jerevan të Armenisë, ku Forestami u shpall UN World Restoration Flagship, një nga pesë projektet e reja globale të njohura nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP).
Sipas UNEP, projekti synon të mbjellë afërsisht një pemë për çdo banor të Milanos dhe të rikthejë në gjendje natyrore sipërfaqe urbane të degraduara, me një madhësi të krahasueshme me rreth 350 fusha futbolli.
Nisma përfshin gjithashtu krijimin e hapësirave të reja të gjelbra, përfshirjen e nxënësve në aktivitetet mjedisore dhe rehabilitimin e zonave të dikurshme industriale, parkingjeve dhe hapësirave të magazinimit.
Përveç Milanos, vlerësimin e OKB-së e morën edhe katër projekte të tjera nga Kolumbia, Shtetet e Bashkuara, Etiopia dhe Kina, të fokusuara në restaurimin e ligatinave, pyjeve, parqeve dhe ekosistemeve bregdetare.
Sipas një raporti të publikuar nga UNEP në të njëjtën ditë, aktualisht po ndërmerren përpjekje për restaurimin e 252 milionë hektarëve tokë në 149 vende të botës.
Megjithatë, organizata paralajmëron se përpjekjet globale për rikthimin e natyrës duhet të përshpejtohen për të përmbushur objektivat mjedisore të vitit 2030. /skyweb.al
















