Qeveria ka përgatitur një sërë ndryshimesh që prekin drejtpërdrejt familjet me fëmijë, studentët dhe organizimin e shkollave, ndërsa paralajmëron edhe kufizime të reja për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit.
Masat u prezantuan nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me zgjatjen e qëndrimit të fëmijëve në shkollë deri në orën 17:00, duke nisur nga viti 2027.
Sipas Ramës, qeveria ka parashikuar një fond të posaçëm për këtë nismë, me qëllim që fëmijët të kalojnë më shumë kohë në mjediset shkollore, ndërsa prindërit të kenë mundësi të vijojnë angazhimet e tyre në punë.
Qëndrimi i zgjatur do të shoqërohet me aktivitete sportive, kulturore dhe artistike, duke përfshirë pikturën, teatrin, filmin, fotografinë dhe veprimtari të tjera që nxisin socializimin.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm prek bonusin e bebes, i cili aktualisht jepet si pagesë e njëhershme pas lindjes së fëmijës.
Kryeministri njoftoi se në buxhetin e ri është parashikuar transformimi i këtij bonusi në një skemë të rregullt mbështetjeje mujore për fëmijët.
Qëllimi është rritja e të ardhurave të familjeve që kanë fëmijë, ndërsa ende nuk janë bërë publike shumat konkrete dhe kriteret e përfitimit nga skema e re.
Mbështetje më e madhe financiare është parashikuar edhe për studentët që vijnë nga familjet në nevojë.
Sipas Ramës, ndihma për këtë kategori do të rritet më shumë se dyfish, duke arritur në një shumë të barabartë me gjysmën e pagës minimale.
Ndërkohë, qeveria po përgatitet të hapë një debat publik për kufizimin e aksesit të fëmijëve dhe adoleshentëve në rrjetet sociale.
Rama deklaroi se po shqyrtohet vendosja e një kufiri moshe prej 16 ose 18 vjeç, nën të cilin të miturit nuk do të lejohen të kenë llogari individuale në platformat sociale.
Sipas tij, përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale ka ndikuar negativisht në ndërveprimin fizik mes njerëzve, duke nxitur izolimin dhe vetminë, veçanërisht te brezat e rinj.
Përpara marrjes së një vendimi, qeveria do të organizojë konsultime me mësuesit, prindërit dhe përfaqësuesit e shkollave, sipas një modeli të ngjashëm me konsultimet e zhvilluara më parë për TikTok-un.
Kryeministri theksoi gjithashtu se mbështetja aktuale për nënat e papuna, kryefamiljare dhe me fëmijë të mitur, përmes subvencionimit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, nuk është e mjaftueshme.
Masat e reja synojnë të ndërthurin mbështetjen financiare të familjeve me ndryshimin e mënyrës së organizimit të kohës së fëmijëve, si brenda shkollës ashtu edhe në raport me teknologjinë.
Ndërsa zgjatja e qëndrimit në shkollë është paralajmëruar për vitin e ardhshëm, kufizimi i rrjeteve sociale mbetet ende në fazën e konsultimit, pa një vendim përfundimtar mbi moshën dhe mënyrën e zbatimit. /skyweb.al
















