Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për ndotjen e rëndë mjedisore të konstatuar në Uzinën e Ferrokromit në Papër, ku mbi 300 tonë mbetje industriale të rrezikshme janë mbajtur në qiell të hapur për më shumë se një vit.
Hetimi ka nisur pas konstatimeve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), e cila ka evidentuar probleme serioze në administrimin e mbetjeve nga kompania Albchrome, duke ngritur shqetësime për ndotjen e tokës, ujërave nëntokësore dhe rrezikun ndaj shëndetit të banorëve e punonjësve.
Prokuroria ka vendosur këqyrjen e ambienteve të uzinës për identifikimin dhe administrimin e provave materiale, ndërsa për çështjen është ngritur një grup hetimor me tre prokurorë dhe dy oficerë të policisë gjyqësore.
Në qendër të hetimeve janë gjetjet e AKM-së, sipas të cilave në uzinë janë evidentuar mbi 300 tonë pluhura të grumbulluara nga filtrat e oxhaqeve, të klasifikuara si mbetje të rrezikshme për shkak të përmbajtjes së metaleve të rënda.
Këto mbetje, sipas inspektimit, ishin vendosur në thasë të zakonshëm dhe ishin lënë të ekspozuara ndaj kushteve atmosferike për më shumë se një vit, pa masat e nevojshme të izolimit dhe sigurisë.
Probleme janë konstatuar edhe në depozitimin e skorjeve të ferrokromit. Hapësira e përdorur për grumbullimin e tyre rezultonte pa izolim, pa rrethim dhe pa sistem kanalizimi për kontrollin e ujërave të ndotura.
Sipas raportit, kjo situatë krijon mundësinë që substancat ndotëse të depërtojnë në tokë dhe në ujërat nëntokësore, duke rrezikuar mjedisin përreth zonës industriale.
Ekspozimi ndaj metaleve të rënda dhe pluhurave industriale lidhet me rreziqe serioze shëndetësore, përfshirë sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, dëmtimet e organeve dhe rritjen e rrezikut për disa lloje kanceri.
Një tjetër shkelje e evidentuar nga inspektorët është funksionimi i një stacioni karburanti brenda ambienteve të uzinës, i cili, sipas AKM-së, nuk ishte deklaruar dhe nuk përfshihej në lejen mjedisore të aktivitetit.
Hetimet e Prokurorisë së Elbasanit pritet të përcaktojnë përgjegjësitë penale për administrimin e mbetjeve të rrezikshme, respektimin e kushteve të lejes mjedisore dhe pasojat e mundshme të ndotjes në zonën e Paprit. /skyweb.al















