Temperatura mesatare e trupit të njeriut mund të ketë qenë më e lartë 150 vite më parë, ndërsa studimet e fundit tregojnë se ajo ka pësuar rënie gjatë shekullit e gjysmë të fundit. Shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë arsyet e këtij ndryshimi dhe nëse është e nevojshme të rishikohet vlera prej 37 gradësh Celsius, e konsideruar tradicionalisht si temperatura normale e trupit.
Në vitet 1860, mjeku gjerman Carl Wunderlich nisi një studim për të kuptuar nëse temperatura e lartë ishte një sëmundje më vete apo simptomë e një problemi shëndetësor. Në atë kohë, termometrat nuk përdoreshin rregullisht, ndaj ai ndërmori një studim të gjerë që zgjati 15 vjet.
Wunderlich mblodhi të dhënat e temperaturës së matur në sqetull te 25 mijë pacientë, të moshave dhe gjinive të ndryshme. Studimi përfshiu më shumë se një milion matje, nga të cilat mjeku përcaktoi temperaturën mesatare prej 37 gradësh Celsius për një të rritur të shëndetshëm.
Kjo vlerë u bë standardi i përdorur për të vlerësuar temperaturën normale të trupit. Sipas përcaktimit të tij, një temperaturë mbi 38 gradë Celsius sinjalizonte ethe.
Të dhënat e mbledhura nga Wunderlich kishin një ndikim të madh në mjekësi, për shkak të numrit të lartë të matjeve. Philip Mackowiak, historian i mjekësisë dhe ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Marylandit, vlerëson se studimi i dha kësaj vlere një status të veçantë si mjet diagnostikues, shkruan BBC.
Megjithatë, kërkimet më të fundit sugjerojnë se temperatura mesatare e trupit të njeriut ka ndryshuar gjatë 150 viteve të fundit.
Sipas Julie Parsonnet, mjeke e specializuar në sëmundjet infektive në Universitetin Stanford, të dhënat e Wunderlich konfirmuan se temperatura e trupit ndryshon në varësi të disa faktorëve. Ai vuri re se gratë kanë temperatura mesatare disi më të larta se burrat, se temperatura bie me rritjen e moshës dhe se ajo ndryshon gjatë ditës.
Por studimet tregojnë se njerëzit sot kanë një temperaturë mesatare më të ulët se paraardhësit e tyre. Te burrat amerikanë, temperatura mesatare rezulton rreth 0,59 gradë Celsius më e ulët krahasuar me fillimin e shekullit XIX.
Një nga shpjegimet e mundshme lidhet me përmirësimin e shëndetit të popullsisë. Në kohën e Wunderlich, jetëgjatësia ishte rreth 38 vjet, ndërsa sot është pothuajse dyfishi.
Sipas Parsonnet, njerëzit në të kaluarën përballeshin më shpesh me sëmundje kronike dhe infeksione, si tuberkulozi, dizenteria, ethet reumatizmale dhe infeksionet e kockave. Këto probleme aktivizonin sistemin imunitar, duke rritur konsumin e energjisë dhe prodhimin e nxehtësisë në organizëm.
“Kur sistemi imunitar përpiqet të mbrohet nga të gjitha këto sëmundje që kërcënojnë jetën, ai konsumon kalori. Dhe kaloritë janë një mënyrë tjetër për të shprehur prodhimin e nxehtësisë”, shpjegon Parsonnet.
Megjithatë, jo të gjithë studiuesit pajtohen me këtë shpjegim. Philip Mackowiak mendon se rënia e temperaturës mesatare mund të ketë edhe shkaqe të tjera.
Këto gjetje kanë rikthyer diskutimin nëse 37 gradët Celsius duhet të konsiderohen ende si vlera universale e temperaturës normale të trupit. Disa burime të rëndësishme mjekësore e kanë rishikuar tashmë këtë koncept, mes tyre libri “Harrison’s Principles of Internal Medicine” dhe databaza mjekësore online UpToDate.
Studiuesit theksojnë se temperatura e trupit nuk është e njëjtë për të gjithë dhe mund të ndryshojë në varësi të moshës, orarit të ditës dhe faktorëve të tjerë. Për këtë arsye, vlerësimi i gjendjes shëndetësore nuk duhet të mbështetet vetëm te një shifër e vetme, por edhe te simptomat dhe konteksti klinik. /skyweb.al
















