Nga Vilant Xhori
Në politikë vjen një çast kur besa nuk mjafton dhe prania besnike nuk e zëvendëson dot përgjegjësinë. Edi Rama duket se ka mbërritur në këtë udhëkryq.
Përballë pakënaqësisë qytetare, ai duhet të kuptojë se zemërimi nuk shuhet as duke përdorur retorikën e administrimit, as duke vënë përballë njëri-tjetrit njerëzit e rrugës dhe njerëzit e pushtetit.
Ndonjëherë, për të shpëtuar të ardhmen, duhet të mohosh të shkuarën.
Filozofi i njohur Michael Sandel, te Democracy’s Discontent (Pakënaqësia ndaj Demokracisë) dhe The Tyranny of Merit (Tirania e Meritës), na kujton se demokracia dobësohet kur qytetarët humbasin ndjesinë e pjesëmarrjes në fatin e përbashkët dhe kur shoqëria i ndan njerëzit në fitues që ia atribuojnë gjithçka meritës së tyre dhe humbës që mbeten me barrën e dështimit.
Për të qënë krejtësisht të qartë, problemi nuk është vetëm pabarazia e të ardhurave. Është shumë më tepër se kaq, është pabarazia e dinjitetit, e zërit dhe e mundësive.
Në Shqipëri, kullat ngrihen, resortet shkëlqejnë dhe vlera e pronave fluturon drejt qiellit.
Por qytetari që sheh pasurinë të rritet në horizont dhe mundësitë e veta të mbeten në tokë ka të drejtë të pyesë: zhvillimi i kujt është ky?
Shqipëria ka nevojë për investime, turizëm e sipërmarrje, por jo për një ekonomi që pasuron pamjen e vendit më shpejt sesa jetën e banorëve të tij.
Megjithatë, do të ishte e padrejtë të mos dallonim edhe shenjat e reflektimit.
Ndërhyrjet për lehtësimin e barrës fiskale, rritjen e pensioneve e bursave studentore dhe uljen e TVSH-së së shportës janë lëvizje të qeverisë në drejtimin e duhur.
Ato tregojnë se politika mund ta përdorë pushtetin jo vetëm për të administruar shifrat, por edhe për të lehtësuar jetën e njerëzve.
Por këto masa duhet të jenë fillimi i një korrigjimi më të thellë, jo gjethe fiku përballë problemeve që mbeten.
Sepse pensionisti nuk jeton me statistikat e rritjes, studenti nuk ndërton të ardhmen vetëm me një bursë dhe familja nuk fiton siguri vetëm nga një ulje takse.
Duhet punë e qëndrueshme, arsim cilësor, konkurrencë e ndershme, drejtësi në treg dhe një shtet që nuk i ndan qytetarët në të privilegjuar e në të harruar.
Të ardhurat e zhvillimit duhet të kthehen në mundësi për ata që sot e shohin zhvillimin vetëm nga larg.
Por sprova e Ramës nuk është vetëm ekonomike. Është edhe demokratike.
Dhuna në protesta duhet ndëshkuar, por brenda ligjit dhe me proporcionalitet.
Më 25 tetor, Rama shpalli një paketë masash që parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë për pjesëmarrës në tubime të dhunshme në rrethana të caktuara, kufizime të tubimeve deri në 72 orë pranë institucioneve të ndjeshme, kriminalizimin e fshehjes së identitetit në kushtet e përcaktuara nga ligji dhe krijimin e një regjistri të posaçëm për personat e përfshirë në dhunë.
Disa prej këtyre instrumenteve mund të jenë të nevojshme për të mbrojtur qytetarët dhe pronën. Por pikërisht për shkak të fuqisë që i japin shtetit, ato kërkojnë garanci të forta, kritere të qarta dhe kontroll gjyqësor efektiv.
Rreziku nis kur përgjegjësia për veprimin individual zgjerohet drejt ndëshkimit të atij që gjendet në turmë, kur dyshimi rrezikon të marrë vendin e provës dhe kur siguria përdoret si arsye për të ngushtuar lirinë.
Këtu qëndron rreziku i asaj që mund ta quajmë antifa e rrugës dhe antifa e zyrës.
E para përdor dhunën për të imponuar vullnetin e saj; e dyta rrezikon ta përdorë autoritetin shtetëror për ta disiplinuar kundërshtarin përtej kufijve të domosdoshëm të ligjit.
Njëra godet institucionet nga jashtë, tjetra mund t’i zbrazë ato nga kuptimi i tyre nga brenda.
Shqipëria nuk ka nevojë për dy antifa, por për një shtet që ndëshkon dhunën pa ndëshkuar lirinë, mbron rendin pa mbytur kundërshtimin dhe garanton ligjin pa e kthyer atë në instrument të pushtetit.
Rama duhet ta kuptojë se ndëshkimi i dhunës nuk mjafton kur mbetet e pandëshkuar padrejtësia që ushqen zemërimin.
Ai bën mire që insiston për dialogun sepse dialogu nuk është as dorëzim dhe as dobësi. Është aftësia për të dëgjuar edhe atë që nuk të duartroket, për të korrigjuar edhe atë që e ke mbrojtur më parë dhe për të pranuar se pushteti nuk është pronë e fituesit, por përgjegjësi ndaj të gjithëve.
Të gjitha këto thonë se Rama ka filluar dhe duhet të vazhdojë të heqë dorë nga ana e tij problematikem duke mohuar pikërisht Ramën: jo sukseset e vendit, por arrogancën e pushtetit; jo zhvillimin, por pabarazinë që ai mund të prodhojë; jo ligjin, por tundimin për ta kthyer atë në armë politike.
Siç edhe na kujton Sandel, demokracia nuk është vetëm garë për të fituar, por përpjekje për të jetuar së bashku me dinjitet.
Sepse një kryeministër mund ta qetësojë rrugën me forcë, por nuk e pajton dot shoqërinë pa drejtësi.
Dhe pushteti që nuk di të ndryshojë veten, një ditë do të detyrohet të përballet me një shoqëri që nuk e njeh më si të vetin.
















