Protesta e “Flamingove” u pasua nga ajo e “Shqiponjave”, por të dyja kishin natyrë dhe pjesëmarrje të ndryshme, pavarësisht se kërkesa kryesore ishte e njëjtë, “dorëheqja e Ramës”.
Se sa mirë i ka lexuar Rama protestat, mund të kuptohet edhe nga “gjylja” e madhe prej mbi 100 milionë eurosh taksa shtesë që, sipas parashikimeve të paketës së re fiskale të propozuar nga Ministria e Financave, buxheti i shtetit pritet të mbledhë kyresisht nga biznesi gjatë vitit të ardhshëm.
Paketa parashikon ndërhyrje që shtojnë barrën fiskale për biznesin, ndërkohë që propozon uljen e TVSH-së për një kategori të gjerë ushqimesh bazë.
Protesta e “Flamingove” tregoi se qytetarët nuk kishin dalë në shesh thjesht për “bukën e gojës”, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës. Kërkesat e tyre lidheshin edhe me mbrojtjen e mjedisit, një shtet më të përgjegjshëm, ndëshkimin e të korruptuarve në nivelet e larta apo përmbysjen e kësaj klase politike, etj.
Ndërkohë, gjatë protestave të “Shqiponjave”, në video u panë mjaft pjesëmarrës që ankoheshin, me të drejtë, për kushtet mizerabël të jetesës në shtëpi dhe konvikte, çmimet e larta, pabarazinë, ndihmat e ulta ekonomike, etj.
Sigurisht, të dyja protestat kishin si kërkesë kryesore dorëheqjen e Ramës. Por, duke qenë se këtë kryeministri as nuk e diskuton, duket se analiza e tij është përqendruar te shkaqet që nxorën secilin grup në shesh.
Dhe përgjigjja mund të lexohet pikërisht te paketa e re fiskale.
Kështu, paketa duket se ngarkon edhe më shumë me taksa “Flamingot”, të cilët përfaqësonin kryesisht shtresa me punë dhe të ardhura mesatare apo mbi mesatare, si ekonomistë, inxhinierë, mjekë, gazetarë, aktivistë e profesionistë të tjerë.
Një pjesë e tyre, nëse ushtrojnë aktivitet ekonomik përmes një NIPT-i, mund të preken drejtpërdrejt nga ulja e pragut të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor. Kjo do të thotë se biznese dhe profesionistë që deri më tani qëndronin jashtë skemës, do të përfshihen në të duke nisur nga viti 2027.
Ndërkohë, me paratë shtesë që synon të mbledhë nga biznesi, përfshi “Flamingot”, qeveria kërkon të krijojë hapësirë për uljen e TVSH-së për ushqimet bazë, duke iu përgjigjur në një farë mënyrë pritshmërive të “Shqiponjave”.
Ironi tipike, si ato të Ramës! /skyweb.al
















