I shpallur si një premtim elektoral që në zgjedhjet e vitit 2013, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet, ulja e TVSH-së për ushqimet bazë pritet të bëhet realitet pas 13 vitesh qeverisjeje. Por duket se qeveria ka zgjedhur që koston e këtij lehtësimi për familjet ta kompensojë duke rritur taksat për bizneset dhe konsumin tjetër, ndërsa në fund parashikon të mbledhë edhe më shumë para në buxhet.
Sipas paketës së re fiskale, të konsultuar nga Skyweb.al, qeveria propozon uljen e TVSH-së për ushqimet bazë nga 20% në 6%, por njëkohësisht rrit një sërë taksash të tjera, nga TVSH-ja e përgjithshme te tatimi mbi fitimin dhe dividendin.
Përmes këtyre ndryshimeve, qeveria synon jo vetëm të kompensojë të ardhurat që do të humbasë nga ulja e TVSH-së për ushqimet, por edhe të sigurojë rreth 10 miliardë lekë shtesë në vit, ose afërsisht 100 milionë euro.
Vetëm ulja e TVSH-së për ushqimet bazë pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 12.8 miliardë lekë në vit. Kjo shumë do të kompensohet përmes taksave të tjera, të cilat në pjesën më të madhe rëndojnë mbi bizneset.
Fillimisht, qeveria propozon rritjen e TVSH-së së përgjithshme nga 20% në 21%, duke synuar të mbledhë 10.6 miliardë lekë shtesë.
Kjo masë prek një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh, ndërsa bizneset mund ta transferojnë një pjesë të kostos te konsumatorët përmes çmimeve më të larta.
Një tjetër sektor që do të paguajë më shumë është turizmi, ku TVSH-ja për akomodimin, hotelet me status special dhe agroturizmin rritet nga 6% në 10%, me një efekt shtesë prej 614 milionë lekësh në buxhet.
Por ndërhyrja më e ndjeshme për kompanitë lidhet me tatimin mbi fitimin, i cili propozohet të rritet nga 15% në 17%. Vetëm nga kjo masë qeveria parashikon 5 miliardë lekë të ardhura shtesë në vit.
Paralelisht, tatimi mbi dividendin, pra fitimin që kompanitë u shpërndajnë ortakëve, rritet nga 8% në 15%, duke sjellë edhe rreth 3 miliardë lekë të tjera në arkën e shtetit.
Paketa fiskale parashikon gjithashtu përgjysmimin e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH, nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.
Si rezultat, rreth 17,516 biznese të tjera do të futen në këtë skemë, me një efekt të parashikuar prej 4.5 miliardë lekësh.
Në anën tjetër, ndryshimet në tatimin mbi pagat do të ulin të ardhurat e buxhetit me rreth 1 miliard lekë në vit, pasi lehtësimet për një pjesë të punonjësve tejkalojnë të ardhurat nga vendosja e normës 32% për pagat shumë të larta.
Në total, nga masat për të cilat Ministria e Financave ka paraqitur përllogaritje, qeveria synon të mbledhë rreth 24.7 miliardë lekë të ardhura shtesë bruto.
Pasi zbriten 12.8 miliardë lekët që humbasin nga ulja e TVSH-së për ushqimet dhe rreth 1.01 miliardë lekë nga ndryshimet në taksimin e pagave, efekti neto pozitiv i paketës rezulton afërsisht 9.9 miliardë lekë në vit.
Pra, në vend që ulja e TVSH-së për ushqimet të shoqërohet vetëm me një lehtësim të barrës fiskale, paketa e propozuar parashikon edhe rritjen e të ardhurave që shteti mbledh nga ekonomia.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse familjet do ta përfitojnë plotësisht uljen e TVSH-së në çmimet e ushqimeve, pasi kjo do të varet nga sjellja e tregtarëve. /skyweb.al















