Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pranon se objektet e mbetjeve minerare të mbyllura dhe të braktisura në Shqipëri paraqesin rreziqe për ujërat, qëndrueshmërinë e strukturave dhe shëndetin e banorëve përreth, ndërsa për një pjesë të tyre mungon një përgjegjës i qartë ligjor.
Konstatimi përfshihet në relacionin e projektligjit “Për menaxhimin e mbetjeve minerare”, të konsultuar nga skyweb.al. Dokumenti shpjegon se këto objekte janë krijuar kryesisht gjatë periudhës së ndërmarrjeve shtetërore minerare dhe se të dhënat për to mbeten të fragmentuara.
“Aktualisht ekziston vetëm një inventar i fragmentuar sipas shoqërive, të tilla si ‘Albkrom’ sh.a., ‘Albbaker’ sh.a., ‘Albminiera’ sh.a., si dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore”, thuhet në relacion. Ministria shton se për këto objekte “shpesh mungon një përgjegjës i qartë ligjor”, ndërsa rreziqet për mjedisin dhe komunitetet “mbeten reale”.
Për të trajtuar këtë situatë, ligji i ri parashikon krijimin e një inventari kombëtar, ku do të regjistrohen vendndodhja, lloji i mbetjeve, gjendja teknike dhe rreziku i secilit objekt.
Kur konstatohet rrezik i konsiderueshëm për njerëzit ose mjedisin, struktura përgjegjëse do të propozojë masa për monitorimin, rehabilitimin dhe sigurimin e tij.
Megjithatë, dokumentet nuk japin një përllogaritje të veçantë të kostos së rehabilitimit të objekteve pa operator të identifikueshëm. Relacioni deklaron se projektligji “nuk ka efekt të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit”, duke argumentuar se kostot mbulohen nga operatorët dhe se monitorimi e inspektimi do të kryhen brenda strukturave dhe buxheteve ekzistuese.
Për kompanitë që menaxhojnë mbetjet minerare, projektligji parashikon përgjegjësi edhe pas mbylljes së depozitave. Neni 15 përcakton monitorim, mirëmbajtje dhe kontroll për 10 vite për objektet e kategorisë A, që kanë rrezik të lartë për aksidente të rënda, dhe pesë vite për kategorinë B.
Gjatë kësaj periudhe, operatorët duhet të kontrollojnë qëndrueshmërinë e objektit dhe ndikimin mbi tokën e ujërat, si dhe të paguajnë masat korrigjuese. Përfundimi i detyrimeve kërkon vendim të strukturës përgjegjëse, pasi të konstatohet se objekti nuk paraqet më rrezik. Edhe revokimi i lejes nuk e çliron kompaninë nga rehabilitimi dhe përgjegjësia civile për dëmin e shkaktuar.
Përpara ndërtimit ose operimit të objektit, kompanitë duhet të vendosin garanci financiare në formën e garancisë bankare. Ajo duhet të mbulojë rehabilitimin, mbylljen, monitorimin pas mbylljes dhe ndërhyrjet e nevojshme nëse operatori nuk përmbush detyrimet. Vlera do të përditësohet çdo dy vjet sipas çmimeve të tregut dhe inflacionit. Mosparaqitja e garancisë së rivlerësuar brenda 30 ditëve nga njoftimi parashikohet si shkak për heqjen e lejes.
Leja për menaxhimin e mbetjeve do të miratohet nga ministri dhe do të lëshohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Për dhënien e saj nuk zbatohet miratimi në heshtje, ndërsa transferimi te një operator tjetër kërkon miratim paraprak të ministrit.
Projektligji parashikon inspektime dhe raportime çdo gjashtë muaj, përfshirë periudhën pas mbylljes. Ngjarjet që mund të cenojnë stabilitetin e objektit ose të shkaktojnë ndikim të rëndësishëm negativ në mjedis duhet të njoftohen pa vonesë dhe jo më vonë se 48 orë. Për aksidentet e rënda kërkohet njoftim i menjëhershëm. Objektet me rrezik të lartë duhet të kenë plane emergjence, ndërsa publikut duhet t’i jepet informacion për rreziqet dhe mënyrën e reagimit.
Për mbrojtjen e ujërave kërkohen masa kundër ndotjes dhe trajtimi i ujërave të ndotura sipas karakteristikave të objektit. Neni 17 parashikon se hedhja e mbetjeve nxjerrëse në trupa ujorë që nuk janë ndërtuar posaçërisht për depozitimin e tyre lejohet vetëm kur përmbushen kërkesat e legjislacionit për ujërat dhe mjedisin.
Gjobat e propozuara arrijnë në 2 milionë lekë për aktivitet pa leje. Mosrespektimi i planit të menaxhimit dënohet me 500 mijë lekë, ndërsa mosdorëzimi i raportimit periodik me 50 mijë lekë. Sanksionet administrative të këtij neni mund të vendosen brenda dy viteve nga kryerja e shkeljes.
Një dispozitë tjetër parashikon se, pas pezullimit të aktivitetit, administrata duhet të verifikojë korrigjimin e shkeljeve brenda afatit të caktuar. Nëse nuk kryhet verifikimi brenda 10 ditëve nga data e lënë për korrigjimin, “shkeljet quhen të korrigjuara dhe subjekti mund të rifillojë nga puna”.
Nisma mbetet projektligj. Nëse miratohet, operatorët ekzistues do të kenë 12 muaj për t’u përshtatur me kërkesat, ndërsa aktet nënligjore të parashikuara për Këshillin e Ministrave duhet të miratohen brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi.















