Biznesmeni Behgjet Pacolli qëndroi dje për rreth shtatë orë në Prokurorinë e Posaçme, ku dha shpjegime si person në dijeni për çështjen e Aeroportit të Vlorës.
Pas daljes nga SPAK, ai deklaroi se paraqitja lidhej me një kallëzim penal që kishte bërë për ato që i konsideron padrejtësi ndaj tij në këtë projekt, i cili është bllokuar pas sherreve mes tij dhe Valon Ademit si pasojë e pazareve mes tyre në Libi.
“Unë vetëm kam bërë një denoncim penal për padrejtësitë që janë bërë deri tani në lidhje me Aeroportin e Vlorës”, u shpreh Pacolli para mediave.
Por, përtej pretendimeve për cenimin e pronësisë së tij, mbetet një pyetje: A dha shpjegime Pacolli edhe për kredinë 100 milionë euro me Delphos dhe marrëveshjen që parashikonte përfshirjen e vetë aeroportit në këtë borxh?
Ai nuk e ceku fare këtë fakt pas daljes nga SPAK.
Çfarë është kredia nga Delphos
Në qendër të debatit është marrëveshja e financimit mes Mabcos së Pacollit dhe strukturës financiare në Luksemburg, Delphos Compartment Bernina.
Kontrata parashikonte që Vlora International Airport, VIA, të përfshihej si huamarrëse shtesë në kredinë e marrë fillimisht nga Mabco.
Për ta realizuar këtë, VIA duhej të firmoste një “Letër Hyrjeje”, përmes së cilës pranonte kushtet dhe detyrimet e marrëveshjes.
Pra, borxhi i marrë nga kompania e Pacollit parashikohej të ngarkonte me përgjegjësi edhe shoqërinë që administronte aeroportin.
Megjithatë, përfshirja e parashikuar në kontratë hasi kundërshtimin e administratorëve. Ish-administratori Valon Lluka refuzoi ta firmoste dokumentin, duke paralajmëruar familjen Pacolli për pasojat që mund të kishte kjo marrëveshje mbi koncesionin.
Lluka paralajmëronte se veprimet në kundërshtim me marrëveshjen me shtetin shqiptar mund të krijonin shkak për zgjidhjen e kontratës koncesionare.
Shqetësimet për marrëveshjen u ngritën më pas edhe nga Ministria e Infrastrukturës.
Në shkresën më 10 qershor 2026, ministria konstatonte se disa dispozita të amendimit nuk përputheshin me mënyrën se si Mabco e kishte paraqitur financimin në korrespondencën e mëparshme.
Sipas ministrisë, dokumentet parashikonin detyrime konkrete për aderimin e VIA-s, marrjen e statusit të huamarrësit dhe administrimin e llogarive operative e të ardhurave të aeroportit sipas mekanizmave të financimit.
Për këtë arsye, ministria kërkonte dokumentacionin e plotë, sqarime për ekzistencën e anekseve ose garancive të tjera dhe ndalimin e çdo veprimi për zbatimin e marrëveshjes deri në përfundimin e verifikimeve.
Pacolli i ka kundërshtuar pretendimet se aeroporti ishte lënë peng, duke deklaruar se kredia garantohej nga asetet e Mabcos.
Por në shpjegimin publik për qëndrimin e djeshëm në SPAK, ai u përqendrua te pretendimet për ndërhyrje të paligjshme në pronësi dhe shpërfillje të vendimeve gjyqësore, pa sqaruar nëse ishte pyetur edhe për marrëveshjen me Delphos. /skyweb.al















