Gra të zgjedhura në këshillat bashkiakë janë dorëhequr në mënyrë të koordinuar pas zgjedhjeve vendore të vitit 2023, duke hapur rrugën që mandatet t’u kalojnë burrave. Fenomeni është evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në 10 bashki dhe tregon se përfaqësimi gjinor i garantuar përmes listave zgjedhore mund të dobësohet pas shpalljes së fituesve.
Sipas raportit të auditimit për fuqizimin e grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse, të konsultuar nga skyweb.al, këto raste janë konstatuar në bashkitë Devoll, Selenicë, Kukës, Sarandë, Pukë, Lezhë, Has, Kurbin, Mirditë dhe Krujë. Ato përfaqësojnë rreth 16% të 61 bashkive të vendit.
Mekanizmi i përshkruar në raport nis me dorëheqjen e anëtareve gra nga këshilli bashkiak. Pas krijimit të vendeve të lira, këshilli i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për plotësimin e vakancave, sipas procedurave të Kodit Zgjedhor.
Për të ruajtur përfaqësimin gjinor, gjatë zëvendësimit shqyrtohen kandidatet e tjera gra të listës përkatëse. Por, në rastet e evidentuara nga auditimi, procesi ka vijuar deri në shterimin e kandidaturave femërore, për shkak të dorëheqjeve të tyre. Në përfundim, KQZ ka kaluar te kandidati i parë burrë në listë.
Kështu, një mandat i fituar fillimisht nga një grua është ushtruar më pas nga një burrë. Sipas KLSH-së, ky proces ka cenuar objektivin e barazisë gjinore, edhe pse zëvendësimet janë kryer përmes procedurës së parashikuar ligjore.
Problemi që ngre auditimi lidhet me kufijtë e kontrollit të KQZ-së. Institucioni verifikon respektimin e kuotave gjatë regjistrimit të kandidatëve dhe u kthen për korrigjim subjekteve zgjedhore listat që nuk plotësojnë kriteret. Por kjo garanci nuk është e mjaftueshme për të ruajtur përfaqësimin gjatë ushtrimit të mandateve.
“KQZ nuk disponon asnjë mekanizëm ligjor apo administrativ për të kontrolluar apo sanksionuar subjektet zgjedhore në lidhje me dorëheqjet e grave pas shpalljes së listave fituese”, konstaton raporti.
Dokumenti identifikon bashkitë ku është shfaqur fenomeni, por në këtë pjesë nuk jep numrin e përgjithshëm të grave të larguara, subjektet politike përkatëse apo motivet individuale të dorëheqjeve.
Për të adresuar këtë boshllëk, KLSH i rekomandon KQZ-së të vlerësojë propozimin e ndryshimeve ligjore dhe procedurale për dorëheqjet e koordinuara. Gjithashtu, kërkon mekanizma raportimi dhe monitorimi që ndjekin respektimin e kuotave edhe pas zgjedhjeve, në mënyrë që përfaqësimi i grave të ruhet gjatë ushtrimit të mandateve. /skyweb.al
















