Qytetarët në Shqipëri do të mund të marrin mbrapsht një shumë parash kur dorëzojnë shishet dhe ambalazhet e përdorura të pijeve në pika të autorizuara grumbullimi.
Kjo parashikohet në një nismë të Ministrisë së Mjedisit, e cila synon ngritjen e një sistemi depozitimi dhe kthimi të ambalazheve, sipas modelit të zbatuar në disa vende europiane.
Mekanizmi është i thjeshtë: kur blen një pije, konsumatori paguan edhe një shumë të caktuar si depozitë për ambalazhin.
Pasi e konsumon pijen, dorëzon shishen ose ambalazhin në një pikë kthimi dhe merr mbrapsht depozitën.
Pra, paratë që qytetari përfiton në momentin e dorëzimit janë shuma që ka paguar paraprakisht gjatë blerjes.
Kjo synon ta nxisë konsumatorin që ambalazhin ta kthejë për grumbullim, në vend që ta hedhë bashkë me mbetjet e tjera.
Projektvendimi është në konsultim publik dhe parashikon ngritjen e një infrastrukture të posaçme.
Ajo përfshin makineri automatike për pranimin e ambalazheve, sisteme elektronike identifikimi dhe etiketa që mundësojnë gjurmimin e tyre.
Megjithatë, ende nuk është përcaktuar sa do të jetë depozita për konsumatorët në Shqipëri.
Gjithashtu, mbeten për t’u saktësuar lista përfundimtare e ambalazheve që do të përfshihen dhe organizimi i pikave ku ato do të dorëzohen.
Kostot e ngritjes dhe funksionimit të sistemit parashikohet të mbulohen nga sektori privat. Prodhuesit, importuesit dhe operatorët e tjerë ekonomikë do të financojnë pajisjet, grumbullimin, transportin dhe administrimin e depozitave.
Projektvendimi parashikon një periudhë tranzitore deri më 31 dhjetor 2028 për ngritjen e plotë të sistemit.
Kjo do të thotë se skema është ende në fazën e përgatitjes dhe kthimi i shisheve kundrejt rimbursimit nuk është një shërbim që funksionon aktualisht në vend./skyweb.al
















