Një pjesë e parave që institucionet publike kursejnë nga tenderët mund të përdoret për blerjen e pikturave, veprave të artit, artefakteve dhe koleksioneve me vlera historike e kulturore.
Qeveria ka propozuar krijimin e një mekanizmi të ri financimi, që do të mundësojë përdorimin e deri në 10% të kursimeve të realizuara nga procedurat e prokurimit publik për pasurimin e koleksioneve shtetërore të artit.
Parashikimi përfshihet në projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e Fondit Kombëtar për Artin”, të depozituar në Kuvend, i cili synon të krijojë për herë të parë një instrument të posaçëm financiar për blerjen e veprave artistike në tregun vendas dhe ndërkombëtar.
Sipas relacionit shoqërues, Fondi Kombëtar për Artin do të funksionojë si një fond financiar publik, pa personalitet juridik, nën administrimin e ministrisë përgjegjëse për kulturën. Burimi kryesor i financimit do të jenë kursimet e krijuara nga prokurimet publike, të cilat duhet të verifikohen dhe certifikohen nga Ministria e Financave.
Projektligji përcakton se shuma që mund të përdoret për këtë qëllim nuk mund të tejkalojë 10% të kursimeve financiare të certifikuara si të disponueshme. Megjithatë, kjo përqindje përfaqëson kufirin maksimal të financimit dhe jo një detyrim për transferimin automatik të një të dhjetës së kursimeve nga tenderët.
Shuma konkrete që do t’i kalojë Fondit çdo vit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për kulturën, duke marrë në konsideratë mundësitë buxhetore dhe prioritetet e politikave publike.
Në përllogaritjen e kursimeve që do të shërbejnë si bazë për financimin e Fondit nuk do të përfshihen kursimet e krijuara nga procedurat e prokurimit me vlerë të vogël.
Në relacion nuk jepet një vlerë konkrete e financimit të pritshëm vjetor. Për rrjedhojë, madhësia financiare e Fondit do të varet nga kursimet e certifikuara të prokurimeve publike dhe vendimmarrja e qeverisë për shumën që do të alokohet.
Për shembull, nëse kursimet e verifikuara dhe të certifikuara nga prokurimet publike do të arrinin në 1 miliard lekë, shuma maksimale që mund të përdorej për Fondin do të ishte 100 milionë lekë. Ky është një ilustrim i mekanizmit të parashikuar dhe jo një fond konkret i përcaktuar nga qeveria.
Shteti do të blejë vepra arti edhe në ankande ndërkombëtare
Përmes këtij mekanizmi, shteti synon të krijojë mundësi financiare për blerjen e veprave të artit, artefakteve dhe koleksioneve me vlera të veçanta artistike, historike dhe kulturore, përfshirë objektet që ndodhen jashtë territorit shqiptar.
Relacioni argumenton se aktualisht mungon një instrument financiar i dedikuar, që t’u mundësojë institucioneve publike të ndërhyjnë në mënyrë të organizuar dhe në kohë në tregun e artit, veçanërisht kur krijohen mundësi për blerjen ose rikthimin e veprave me rëndësi për trashëgiminë kombëtare.
Një tjetër element i projektligjit lidhet me mënyrën e blerjes së këtyre veprave. Sipas përmbledhjes së nenit 10, blerjet mund të realizohen nëpërmjet ankandeve kombëtare dhe ndërkombëtare, por edhe përmes negociimit të drejtpërdrejtë me pronarin e ligjshëm.
Kjo nënkupton krijimin e një procedure të posaçme për blerjen e objekteve artistike, duke marrë parasysh natyrën e veçantë të tregut të artit, ku çdo vepër mund të ketë karakteristika dhe vlera të ndryshme.
Procedurat e hollësishme të blerjes do të përcaktohen me akte nënligjore.
Për vlerësimin dhe përzgjedhjen e veprave parashikohet ngritja e një komisioni kolegjial, të përbërë nga ekspertë vendas dhe të huaj, me përvojë në art, trashëgimi kulturore, muzeologji, restaurim dhe vlerësimin e tregut të artit.
Projektligji parashikon gjithashtu verifikimin e pronësisë, prejardhjes dhe autenticitetit të objekteve, si dhe ndalimin e blerjes së veprave të vjedhura, të trafikuara, të humbura ose që janë objekt mosmarrëveshjesh pronësore. /monitor.al
















