Importuesit dhe prodhuesit pohojnë se ulja e çmimeve të produkteve ushqimore për periudhën 3-mujore tetor-janar, po arrihet përmes tkurrjes së marzheve të fitimit. Bizneset paralajmërojnë se pas përfundimit të periudhës së kufizimit, do të detyrohen t’i rrisin çmimet, në të kundërt aktiviteti i tyre rrezikon të arrijë në kufijtë e mbijetesës. Importuesit dhe prodhuesit kërkojnë që qeveria të ulë TVSH për produktet e shportës ushqimore
Çmimet e ushqimeve në Shqipëri prej vitit 2025 kanë arritur mbi mesataren e Bashkimit Europian, ndërsa fuqia blerëse e konsumatorëve është në rënie. Në këto kushte, përpjekjet e qeverisë për të frenuar rritjen, e ndikuar edhe nga shtrenjtimi i naftës, përmes kufizimit të çmimeve, po hasin në shqetësimin e importuesve dhe prodhuesve për kosto të larta fiskale.
Bizneset paralajmërojnë se marzhet e fitimit janë ngushtuar dhe kërkojnë uljen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, një propozim që sipas tyre duhet të merret në konsideratë me paketën e re fiskale.
Drejtues të rrjeteve të supermarketeve, importues direkt të produkteve ushqimore dhe prodhuesit vendas pohuan për “Monitor” se publikimi i çmimeve në platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe kërkesa për mbajtjen e tyre në nivele të ulëta për një periudhë 3-mujore po u shkakton humbje.
Sipas tyre, për të përmbushur kërkesën për uljen e çmimeve me qëllim lehtësimin e konsumatorit, bizneset po i tregtojnë produktet me marzhe fitimi më të ulëta sesa më parë.
Ata raportojnë se marzhet e fitimit të llogaritura mbi çmimin tregtar kanë zbritur në rreth 6–7% nga 15 deri në 20% që aplikoheshin më parë. Për disa produkte, me qëllim uljen e çmimit, nuk po aplikohen marzhe fitimi. Marzhi i fitimit llogaritet mbi çmimin tregtar të produkteve, dhe tregon se sa fitim neto i mbetet biznesit, pasi zbritet kostoja e taksave, transportit, shpenzime të tjera operative dhe pagat e punonjësve.
Ndërsa për prodhuesit vendas, normat e fitimit kanë rënë në 5–6%, nga 7–8%.
Sipas operatorëve të tregut, kjo situatë po kufizon mundësinë për të përballuar kostot e aktivitetit, ndërsa paralajmërojnë se ulja e çmimeve nuk mund të vijohet pas fillimit të muajit janar, ku përfundon edhe periudha për të mos ndryshuar çmimet.
Drejtues të rrjeteve të supermarketeve, njëkohësisht edhe importues direkt të mallrave të shportës ushqimore, pohojnë se pas kësaj periudhe do të duhet të rishikojnë çmimet me rritje ose në të kundërt do të gjenden në kufijtë e mbijetesës.
Prej 2025-s, konsumatori vendas po përballet me çmime ushqimore më të larta sesa mesatarja europiane, ndërsa të ardhurat për frymë mbeten shumë më të ulëta.
Në vitin 2025, sipas të dhënave të Eurostat, për herë të parë indeksi i çmimeve arriti mbi mesataren e Bashkimit Europian, duke kaluar referencën prej 100%. Në Shqipëri, niveli i çmimeve arriti 103%. Kjo do të thotë se nëse një shportë ushqimore në vendet e BE-së mesatarisht kushton 100 euro, në Shqipëri shpenzimet për shportën ushqimore arrijnë 103 euro.
Nga viti 2005 deri më 2015, indeksi i çmimeve qëndroi nën mesataren e BE-së. Të dhënat tregojnë se tendenca e lartë rritëse e indeksit ka nisur prej vitit 2016.
Diferenca është edhe më e madhe kur krahasohen të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse, ndaj mesatares së BE-së. Ndërsa çmimet e ushqimeve janë rreth 3% mbi mesataren europiane, të ardhurat për frymë në Shqipëri janë vetëm 43% e mesatares së BE-së për vitin 2025.
Ky tregues ishte 26% e mesatares europiane në vitin 2005, ndërsa në vitin 2010 arriti në 34% dhe në vitin 2015 në 38%. Në vitet pasuese, luhatjet kanë qenë më të ulëta, ndërsa nga viti 2021 vihet re një përshpejtim i rritjes.
Të ardhurat për frymë arritën në 38% të mesatares së BE-së në vitin 2022, në 43% në vitin 2023, në 47% në vitin 2024 dhe në 48% në vitin 2025.
Indeksi i çmimeve krahasuar me mesataren e BE-së qëndron më lart edhe sesa vendet e tjera të rajonit. Në vitin 2025, indeksi i Serbisë ishte 96,6%, nën mesataren e BE-së, ndërsa në Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë ishte 84,6%. Maqedonia e Veriut regjistroi indeksin më të ulët, në 74,3%.
Të dhënat historike tregojnë se rreth një dekadë më parë, indeksi i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri ishte në nivele të ngjashme me atë që Maqedonia e Veriut regjistron sot. Kjo tregon se, në raport me mesataren europiane, Shqipëria ka pasur një rritje të ndjeshme të çmimeve të ushqimeve edhe në raport me vendet e rajonit.
Por presioni i çmimeve mbi konsumatorët ka vijuar edhe gjatë vitit 2026. Në korrik, ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan me 3.2% në bazë vjetore në Shqipëri, ndërsa në Bashkimin Europian, rritja ishte vetëm 0.6%. Shtrenjtimi i çmimeve në vend është pesë herë më i lartë sesa në BE.
Pse produktet ushqimore kushtojnë më shumë në Shqipëri?
Drejtues të rrjeteve të supermarketeve që operojnë me produktet e shportës ushqimore dhe përfaqësues të prodhimit identifikojnë dy faktorë kryesorë që po ndikojnë në çmimet e larta, barrën fiskale, përfshirë normën e lartë të TVSH-së dhe taksat për mallrat e importit, si dhe kostot e larta të prodhimit vendas, që kanë dobësuar konkurrueshmërinë e produkteve vendase.
Një nga faktorët kryesorë që ngrenë importuesit si po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të blerjes është norma 20% e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), e cila aplikohet edhe për produktet ushqimore bazë. Kjo taksë përfshihet në çmimin që paguan konsumatori final, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e blerjes.
Importuesit e produkteve ushqimore llogarisin se kostot e transportit, të cilat variojnë nga 6% në 8%, dhe detyrimet doganore, që sipas tyre arrijnë në 10–15%, së bashku me kostot e ambalazhimit, përfshirë kartonin, plastikën dhe letrën, shtojnë rreth 20% mbi çmimin e blerjes së produktit në import.
Mbi këtë çmim aplikohen më tej TVSH-ja prej 20%, e cila përballohet nga konsumatori final, si dhe norma e fitimit të biznesit, që sipas të dhënave të operatorëve të tregut varion nga 4% deri në 15% për supermarketet. Sipas këtyre përllogaritjeve, kostot dhe taksat, së bashku me normat e fitimit, mund ta rrisin çmimin final të produktit deri në 50% krahasuar me çmimin e blerjes në import.
Edhe Luan Leka, sipërmarrës i rrjetit tregtar “Conad”, ka shpjeguar më herët për “Monitor” se çmimet në Shqipëri ndikohen nga dy faktorë. Ai thotë se së pari është norma e lartë e TVSH-së për produktet ushqimore, duke krahasuar normën 20% në Shqipëri me normat që sipas tij, aplikohen në Itali, Gjermani dhe Angli.
Një tjetër element janë kostot e transportit dhe ato doganore, të cilat, sipas z. Leka, mund të rrisin çmimin e produkteve të importuara me 10–15%. Ai vlerëson se transporti përfaqëson rreth 6–7% të kostos.
Së dyti, përveç barrës fiskale dhe kostove logjistike, z. Leka rendit edhe prodhimin e pamjaftueshëm vendas si një faktor që rrit varësinë nga importet. Kjo e ekspozon tregun ndaj kostove të furnizimit nga jashtë dhe kufizon mundësinë që produktet vendase të konkurrojnë në çmim.
Si ndryshojnë çmimet
Publikimi i çmimeve të produkteve ushqimore në platformën “Pasqyra e Çmimeve” vijoi të nxjerrë në pah diferencën e ndjeshme jo vetëm mes njësive tregtare dhe qyteteve në vend, por edhe krahasuar me ato të Bashkimit Europian dhe të vendeve të rajonit.
Sipas llogaritjeve, një konsumator do të shpenzojë 1,412 lekë si vlerë e ulët, për blerjen e 10 artikujve të shportës ushqimore (përfshirë produkte, si: 1 kg miell, oriz, makarona, sheqer, 1 litër vaj luledielli, qumësht, kos, 1 pako gjalpë, vezë, 10 kokrra, dhe 1 pulë).
Vlera më e lartë e shpenzimeve, që platforma llogarit automatikisht arrin 2,225 lekë. Diferenca mes shportës më të shtrenjtë dhe asaj të lirë është 813 lekë apo rreth 58%.
Në qytetin e Durrësit rezulton se çmimet janë të njëjta me Tiranën. Për një shportë me artikuj bazë konsumi, një konsumator shpenzon vlerën minimale prej 420 lekësh dhe vlera më e lartë është 1,513 lekë.
“Monitor” llogariti shpenzimet për 8 qytete në vend, ku rezultoi se vetëm në qytetin e Lezhës, diferenca mes dy vlerave është 694 lekë, më e ulëta ndër qytetet e përfshira në krahasim.
Diferencë e djeshme e çmimeve ndihet për disa produkte veçanërisht ato të bulmetit mes çmimit të shitjes së prodhimit vendas dhe atyre të importit nga vendet e BE-së dhe të rajonit.
Duke iu referuar çmimeve të publikuara në platformë, 1 kg kos grek i markës “Faje” në vend tregtohet 1,180 lekë apo rreth 12 euro. Në supermarketet në Athinë, i njëjti produkt raportohet se tregtohet me çmim 5.3 euro apo 126% më shtrenjtë sesa në vend.
Çmimi për 1 litër qumësht të freskët të paketuar (1.5% yndyrë) të prodhuar në Maqedoninë e Veriut tregtohet 135 lekë. Për një paketim të ngjashëm, por dhe përqindje yndyre të njëjtë çmimi për disa marka vendase arrin 180 lekë për litër, apo 33.3% më e shtrenjtë krahasuar me çmimet e produkteve të importuara të rajonit.
Të dhënat e Eurostat, sipas kategorive të produkteve ushqimore, tregojnë se në vitin 2025 disa grupe produktesh kishin nivele çmimesh dukshëm mbi mesataren e BE-së. Kategoria e qumështit, produkteve të tjera të bulmetit dhe vezëve regjistroi indeksin më të lartë, me 135,6% apo 35.6% më lart sesa mesatarja e BE-së. Referencë e BE-së është vlera 100%.
Krahasuar me 2024, indeksi i çmimeve për grupin e ushqimeve të bulmetit u rrit me 3.1%.
Çmimet arritën në 2025 mbi mesataren e BE-së prej 28.2% edhe për grupin e dytë “Ushqimet e gatshme dhe produktet e tjera ushqimore të paklasifikuara gjetkë”. Edhe sheqeri dhe ëmbëlsirat shënuan një nivel të lartë, me indeks 123,1% ndërsa vajrat dhe yndyrat arritën në 112,5%
Nga ana tjetër, disa kategori mbetën nën mesataren europiane, si drithërat dhe produktet e drithërave, me indeks 84%, si dhe perimet, zhardhokët, bananet dhe bishtajoret, me indeks 91,2%. Frutat dhe arrat shënuan 92,1% ndërsa mishi dhe produktet e tjera të kafshëve tokësore arritën në 98%.
Pse produktet vendase të bulmetit kanë humbur konkurrueshmërinë
Luis Ndreka, drejtues i kompanisë të përpunimit të qumështit “Lufra”, thotë se humbja e konkurrueshmërisë është ndikuar nga disa faktorë, përfshirë nivelin e lartë të TVSH-së te produktet e shportës ushqimore dhe kostot e larta prodhuese të lëndës së parë në vend.
“Shqipëria dhe Danimarka janë të vetmet vende në Bashkimin Europian që aplikojnë të njëjtën normë të lartë TVSH-je për produktet e shportës ushqimore dhe mallrat e tjera. Të gjitha vendet e tjera kanë norma të reduktuara të TVSH-së për produktet bazë ushqimore, deri në 9%. Mesatarja e TVSH-së për këto produkte varion nga 4% deri në 5%, ndërsa disa shtete nuk aplikojnë fare TVSH. Ulja e TVSH-së do të sillte rënie të çmimeve me 10–15%”, thotë ai.
Ndërkohë disa shtete të Ballkanit Perëndimor zbatojnë nivele të diferencuara të TVSH te produktet e shportës ushqimore.
Maqedonia e Veriut aplikon një sistem me norma të diferencuara të TVSH-së. Për rreth 1,600 produkte ushqimore bazë, përfshirë bukën, miellin, qumështin, vezët, vajin, frutat dhe perimet etj., aplikohet norma e reduktuar prej 5%.
Një normë prej 10% aplikohet për kategori të caktuara, përfshirë shërbimet dhe ushqimin e pijet që konsumohen në vendin e shërbimit, ndërsa norma e përgjithshme prej 18%, për pjesën tjetër të produkteve dhe shërbimeve që nuk përfshihen në kategoritë me norma të reduktuara.
Kosova aplikon një sistem me dy norma kryesore të TVSH-së. 8% është norma e reduktuar që aplikohet për një listë të produkteve bazë, përfshirë drithërat, miellin, bukën, vajrat ushqimorë, qumështin dhe produktet e qumështit dhe vezët. Për produktet dhe shërbimet që nuk përfshihen në kategoritë me normë të reduktuar aplikohet 18%, norma standarde e TVSH-së.
Serbia aplikon një sistem me dy norma kryesore të TVSH-së. Norma standarde është 20% dhe aplikohet për shumicën e mallrave dhe shërbimeve.
Për produkte ushqimore bazë të përcaktuara me ligj aplikohet një normë e reduktuar prej 10%, ku përfshihen ndër të tjera buka, qumështi dhe mielli. Ndërsa produkte si kafeja, çokollata dhe artikuj të tjerë që nuk përfshihen në kategorinë e produkteve bazë tatohen me normën standarde prej 20%. Z. Ndreka thotë se një tjetër faktor tjetër që ndikon në çmimet e produkteve vendase është kostoja e qumështit në fermë, e cila në Shqipëri është ndër më të lartat në Europë. Sipas tij, çmimi mesatar i qumështit të lopës së blerë nga fermeri për lëndë të parë në përpunim varion nga 56 deri në 58 lekë për litër (pa përfshirë TVSh). Në derën e një ferme në një shtet të Europës, pa përfshirë taksat dhe kostot e transportit tregtohet 36 lekë për litër.
Diferenca është 56 deri në 63% më shtrenjtë sesa çmimi i prodhuar nga blegtori shqiptar.
“Kjo lidhet me fragmentimin e tokës bujqësore, që rrit kostot e prodhimit të ushqimit për blegtorinë. Këto kosto reflektohen më pas te çmimi i qumështit, si lëndë e parë për industrinë përpunuese.
Përveç uljes së TVSH-së si masë afatshkurtër fiskale, si masë afatgjatë do të rekomandoja nxitjen e bashkimit të fermerëve dhe konsolidimin e fermave. Ky proces ka nisur dhe ka qenë gjithashtu pjesë e qasjes së institucioneve, me synim konsolidimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral”, thekson z. Ndreka.
Shqiptarët shpenzojnë për ushqime gati tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Pesha e lartë e ushqimeve në buxhetet e konsumatorëve shqiptarë e bën këtë kategori veçanërisht të ndjeshme ndaj rritjes së çmimeve. Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, në vitin 2025 shpenzimet për ushqime dhe pije joalkoolike përbënin 29% të konsumit individual në Shqipëri, kundrejt vetëm 10,4% në Bashkimin Europian.
Në vlerë, konsumi për këtë kategori arriti në rreth 5,9 miliardë euro në Shqipëri, ndërsa shpenzimi për banor ishte 2,513 euro, kundrejt 2,847 eurove në BE. Pra, megjithëse shpenzimi për ushqime për banor është më i ulët se mesatarja europiane, pesha që zë në konsumin total është gati tri herë më e lartë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu diferenca të konsiderueshme në kategoritë e tjera të konsumit. Në Shqipëri, shpenzimet për banesën, ujin, energjinë dhe gazin përbëjnë 13,5% të konsumit, kundrejt 18,8% në BE.
Ndërkohë, shëndetësia zë 7,6% në Shqipëri, krahasuar me 13,4% në BE, ndërsa për restorante dhe akomodim shpenzohet 4,9%, kundrejt 7,2% në vendet e BE-së.
Në tërësi, struktura e konsumit tregon se familjet shqiptare shpenzojnë një pjesë dukshëm më të madhe të buxhetit për ushqime, çka e bën ecurinë e çmimeve të kësaj kategorie një faktor kyç për mirëqenien e tyre ekonomike./Monitor
*Titulli është i redaksisë















