Shishet e vogla të shampos dhe produktet e higjienës që përdoren për një qëndrim të vetëm në hotel parashikohet të hiqen nga përdorimi, ndërsa lokalet do të duhet të pranojnë gotat dhe enët që klientët sjellin nga shtëpia për porositë me vete.
Këto janë disa nga masat e një projektvendimi për ambalazhet dhe mbetjet e tyre, i cili prek sektorin e turizmit, restorantet, supermarketet dhe tregtinë online.
Dokumenti i konsultuar nga skyweb.al parashikon afate të ndryshme zbatimi, duke nisur me regjimin e përgjithshëm nga korriku 2028 dhe me disa kufizime të tjera nga viti 2030.
Çfarë ndryshon për hotelet
Nga 1 janari 2030, projekti parashikon ndalimin e ambalazheve njëpërdorimëshe të produkteve kozmetike dhe të higjienës në strukturat e akomodimit, kur ato janë destinuar për një rezervim individual dhe hidhen përpara mbërritjes së klientit tjetër.
Në listë përmenden shishet e shampos, locionet për duart dhe trupin, si dhe mbështjellëset e sapunit. Në praktikë, kjo do t’i orientonte strukturat drejt dozatorëve të rimbushshëm ose zgjidhjeve të tjera që shmangin ambalazhet për çdo qëndrim.
Kufizimi prek mënyrën e ofrimit të produkteve të higjienës, të cilat vijojnë të jenë pjesë e shërbimit për klientin.
Kafen dhe ushqimin me enën tënde
Nga 12 shkurti 2029, bizneset e hotelerisë, restoranteve dhe kafeneve që ofrojnë pije ose ushqime për marrje me vete parashikohet të pranojnë enët e ripërdorshme të konsumatorëve.
Nëse klienti sjell gotën apo enën e tij, produkti duhet t’i ofrohet me çmim jo më të lartë dhe me kushte jo më pak të favorshme sesa kur përdoret ambalazhi njëpërdorimësh i biznesit.
Lokali mund ta refuzojë enën nëse është dukshëm e papastër ose paraqet rrezik për higjienën dhe sigurinë ushqimore. Bizneset mund të ofrojnë edhe ulje çmimesh apo bonuse për klientët që përdorin enët e tyre.
Kufizime për paketimin e frutave dhe perimeve
Ndryshime parashikohen edhe në raftet e supermarketeve. Nga 1 janari 2030, projekti kufizon ambalazhet plastike njëpërdorimëshe për fruta dhe perime të freskëta, të papërpunuara, të paraambalazhuara në sasi më të vogla se 1.5 kilogramë.
Këtu përfshihen rrjetat, qeset, tabakatë dhe kontejnerët plastikë. Parashikohen përjashtime për raste kur ambalazhi nevojitet për ruajtjen e freskisë, shmangien e dëmtimeve ose garantimin e sigurisë së produktit.
Porositë online, kufi kutive me shumë hapësirë bosh
Për ambalazhet e tregtisë elektronike, transportit dhe ambalazhet që grupojnë disa produkte, hapësira bosh nuk duhet të kalojë 50% të vëllimit total. Ky detyrim parashikohet të zbatohet nga 1 janari 2030.
Edhe hapësira e zënë nga letra mbushëse, sfungjeri apo plastika me flluska do të llogaritet si bosh.
Projekti kufizon gjithashtu ambalazhet me funde të rreme, mure të dyfishta ose shtresa të panevojshme që synojnë vetëm ta bëjnë produktin të duket më i madh, duke parashikuar përjashtime të caktuara.
Qeset e ripërdorshme me pagesë të veçantë
Qeset plastike me trashësi të paktën 70 mikronë lejohen vetëm nëse plotësojnë kërkesat për përdorim të shumëfishtë, dokumentacion dhe etiketim.
Ato nuk mund të jepen falas. Çmimi duhet të afishohet veçmas dhe, kur është teknikisht e mundur, të evidentohet më vete në dokumentin fiskal. Projekti nuk cakton një çmim fiks për qesen.
Shishet plastike dhe kanaçet do të kthehen kundrejt pagesës
Dokumenti parashikon edhe sistemin e depozitë-rimbursimit për shishet plastike dhe enët metalike njëpërdorimëshe të pijeve deri në tre litra, me disa përjashtime.
Konsumatori paguan një depozitë gjatë blerjes dhe e merr atë të plotë mbrapsht kur dorëzon ambalazhin bosh. Vlera e depozitës nuk përcaktohet në projekt.
Objektivi është që deri më 1 janar 2031 të sigurohet grumbullimi i veçuar i të paktën 90% të peshës së ambalazheve përkatëse. Kthimi i depozitës nuk duhet të kushtëzohet me blerjen e një produkti tjetër. /skyweb.al
















