Edi Rama ka vendosur t’u zërë frymën banorëve të Tiranës dhe të mos kursejë më asnjë pëllëmbë të mbetur në kryeqytet, duke ngulur kulla skandaloze dhe monstra betoni direkt në xhepat e lagjeve.
Evolve Tower është një kullë 21 katëshe, e cila po ngulet si çiban në një nga lagjet më të ngarkuara dhe me më pak infrastrukturë të Tiranës. Bëhet fjalë për për një bllok të ngjeshur banimi përgjatë Rrugës së Elbasanit, në rrugën Bako Dervishaj.
Kulla po ndërtohet në një rrugicë të ngushtë dytësore me një sens kalimi, e cila mezi përballon qarkullimin e sotëm të makinave të banorëve. Ngritja e një çibani 21-katësh asgjëson përfundimisht lëvizshmërinë e kësaj zone, por jo vetëm aq.
Kulla vendoset aq pranë strukturave ekzistuese, saqë u merr ajrin dhe dritën e diellit të gjitha shtëpive dhe pallateve përreth, duke u vjedhur atyre privatësinë e duke kthyer çdo zonë që dikur shërbente për frymëmarrje apo parkim në një kantier të përjetshëm për interesat e ngushta të një kompanie private.
Leja mbahet e fshehur
Megjithëse kanë kaluar plot dy vjet që kur leja u miratua në mbledhjen e KKT-së në nëntor të vitit 2024 dhe kulla po ngrihet me shpejtësi dita-ditës, të gjitha detajet teknike të projektit mbahen në fshehtësi të plotë nga publiku.
Në një shkelje flagrante të transparencës, dokumentet e rregullores së veçantë, intensiteti i ndërtimit, koeficienti i shfrytëzimit të truallit dhe harta e zbardhur e planvendosjes nuk janë bërë asnjëherë publike në regjistrat online. Por fotot e rrjedhura të projektit arkitektonik e dëshmojnë qartë masakrën urbane.

Qytetarët dhe banorët e prekur lihen në errësirë totale, ndërsa institucionet fshehin parametrat urbanë të këtij monstri për të mos treguar se si janë shkelur të gjitha normat e distancave dhe dendësisë në atë bllok banimi
Ndërtuesi nga hiçi
Nëse masakra vizuale të tmerron, ekstrakti historik i QKB-së dhe bilanci i kompanisë zhvilluese “Aron Edil SHPK” ngrenë pikëpyetje të mëdha se si qeveria mund të miratojë leje të tilla.
Kompania që ka marrë të drejtën të ndryshojë faqen e Tiranës me një projekt premium, ku çmimet e shitjes kapin rreth 4 mijë Euro/m², është e regjistruar në një adresë krejtësisht periferike si rruga nacionale Elbasan-Peqin, Lagja Çeshme, pranë Gjimnazit në Peqin.
E themeluar në gusht të vitit 2023 nga Mario Sallufi dhe më pas e ndarë në 50% të kuotave me Mateo Sallufi pas një kontrate dhurimi në vitin 2025, kjo kompani operon me një kapital fillestar të papërfillshëm dhe qesharak prej vetëm 100 mijë Lekësh për përmasat e një kulle miliona eurosh.
Për më tepër, pasqyra e pozicionit financiar tregon një absurditet total ekonomik ku asetet e kompanisë janë praktikisht inekzistente përballë përmasave të një megaprojekti të tillë.
Bilanci zyrtar zbulon se shoqëria “Aron Edil SHPK” raporton fiks zero aktive afatgjata materiale – që do të thotë se nuk zotëron asnjë tokë, truall, makineri, pajisje apo ndërtesë solide në emër të saj.
Të vetmet “asete” që mbajnë në këmbë këtë kompani janë mjetet monetare qesharake prej vetëm 52,458 lekësh dhe një zë artificial “parapagesa për inventarë” në vlerën rreth 10.1 milionë lekë, i cili është i mbytur plotësisht nga detyrimet.
Si mundet që një kompani pa asnjë pasuri të paluajtshme, pa makineri ndërtimi, me asete monetare sa gjysma e një rroge minimale dhe me kapital tërësisht negativ të marrë dritën jeshile direkt nga kryeministri dhe KKT për të ndërtuar një kullë 21-katëshe në njërën nga zonat më të shtrenjta të Tiranës?
Kjo dëshmon qartë se “Evolve Tower” nuk po ngrihet mbi fuqinë financiare apo asetet e ligjshme të kësaj kompanie nga Peqini, por si një çiban i pastër i babëzisë urbane që do të rrijë varur mbi kokat e qytetarëve, duke shkatërruar përgjithmonë jetesën e një lagjeje të tërë për të pasuruar vetëm një grusht njerëzish. /kapitali.al
















