Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protestat e zhvilluara në vend synojnë destabilizimin e Shqipërisë, ndërsa ka pranuar se ekzistojnë problematika që kërkojnë zgjidhje. Në një komunikim për mediat mëngjesin e sotëm, së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, kreu i qeverisë komentoi situatën e krijuar dhe paralajmëroi masa ndaj personave që, sipas tij, fshihen pas protestave.
Rama tha se Shqipëria po mban kontakte të vazhdueshme me Italinë dhe Francën, vende që sipas tij po përballen gjithashtu me trazira dhe janë në gatishmëri.
Kryeministri paralajmëroi se personat që, sipas tij, synojnë të nxisin tensione përmes protestave të studentëve dhe të rinjve, do të përballen me pasoja ligjore dhe financiare.
Ai përmendi në deklaratën e tij edhe lëvizjen Antifa, duke e lidhur atë me atë që e cilësoi si “terror urban”, si dhe paralajmëroi kundër përpjekjeve për të nxitur përçarje fetare në Shqipëri.
“Duhet ta kenë të qartë që nuk do t’ia dalin dhe do të paguajnë në një sërë formash, që nga ajo penale tek ajo financiare, për himnizuesit dhe propaganduesit e saj”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk do të lejojë, sipas tij, përpjekje për të cenuar harmoninë fetare dhe për të përçarë shoqërinë shqiptare. /skyweb.al















