Qytetarët që kanë një pronë në bashkëpronësi mund të aplikojnë online për regjistrimin e ndarjes së saj në Kadastër, përmes portalit e-Albania.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka publikuar udhëzimet për këtë procedurë, duke sqaruar se regjistrimi i pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme bëhet mbi bazën e një marrëveshjeje noteriale ose të një vendimi gjykate të formës së prerë.
Pra, përpara aplikimit, bashkëpronarët duhet të kenë dokumentin që përcakton ndarjen e pronës. Më pas, kërkesa për regjistrimin e saj paraqitet elektronikisht.
Pas identifikimit në e-Albania, aplikanti duhet të zgjedhë shërbimin “Regjistrimi i pjestimit të pasurisë së paluajtshme me vendim gjykate/apo marrëveshje noteriale – R15”.
Në formular plotësohen të dhënat e aplikantit, informacioni për pasurinë dhe të dhënat e palës tjetër të përfshirë në pjesëtim.
Më pas ngarkohet dokumentacioni në format PDF, përfshirë marrëveshjen noteriale të pjesëtimit ose vendimin e gjykatës, si dhe dokumente të tjera mbështetëse, sipas rastit.
Pas dërgimit të aplikimit, qytetari mund të shkarkojë mandatin e pagesës. Pagesa kryhet online në portal, pranë filialeve të Postës Shqiptare ose në një bankë të nivelit të dytë.
Kadastra u kërkon aplikantëve të kontrollojnë dokumentacionin dhe saktësinë e të dhënave të pasurisë përpara dorëzimit të kërkesës, pasi mangësitë mund të sjellin vonesa në shqyrtimin e dosjes.
















