Qeveria planifikon një tjetër rritje të akcizës për cigaret dhe produktet e tjera të duhanit, duke përfshirë edhe cigaret me ngrohje, ato elektronike dhe produktet me nikotinë. Ndryshimet do të nisin nga 1 janari 2027 dhe parashikojnë rritje graduale të taksës deri në vitin 2033.
Sipas paketës së re fiskale, Ministria e Financave ka përgatitur një kalendar shtatëvjeçar, i cili përcakton rritjen e akcizës për kategori të ndryshme produktesh, me qëllim shtimin gradual të barrës fiskale mbi konsumin e duhanit dhe nikotinës.
Për cigaret tradicionale, akciza propozohet të rritet nga 7,750 lekë për 1,000 fije, që është niveli aktual, në 8,100 lekë nga fillimi i vitit 2027. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 4.5%.
E përkthyer në një paketë me 20 cigare, vetëm rritja e akcizës specifike për vitin e ardhshëm është 7 lekë. Megjithatë, ndikimi përfundimtar në çmimin e shitjes do të varet edhe nga TVSH-ja dhe politika e çmimeve të kompanive.
Rritja do të vijojë edhe gjatë viteve të ardhshme. Në vitin 2028 akciza për cigaret parashikohet të arrijë në 8,450 lekë për 1,000 fije, ndërsa në vitin 2029 në 8,800 lekë.
Nga viti 2030, qeveria propozon edhe një ndryshim në mënyrën e llogaritjes së akcizës. Përveç taksës fikse prej 9,150 lekësh për 1,000 cigare, do të vendoset një përqindje shtesë mbi çmimin e shitjes me pakicë.
Kjo përqindje do të nisë nga 2% në vitin 2030 dhe do të rritet gradualisht, duke arritur në 5% në vitin 2033. Në këtë mënyrë, akciza do të lidhet jo vetëm me sasinë e cigareve, por edhe me çmimin e tyre.
Rritet akciza edhe për cigaret me ngrohje dhe ato elektronike
Ndryshimet nuk kufizohen vetëm te cigaret tradicionale, por përfshijnë edhe produktet alternative të duhanit, të cilat kanë zgjeruar praninë e tyre në treg gjatë viteve të fundit.
Për duhanin me ngrohje, i cili përdoret në pajisje elektronike pa djegie të drejtpërdrejtë, akciza propozohet të jetë 9,450 lekë për kilogram në vitin 2027 dhe të rritet gradualisht deri në 13,650 lekë në vitin 2033.
Ndërkohë, për produktet që përmbajnë nikotinë të lëngshme, të përdorura kryesisht në cigaret elektronike, akciza do të nisë nga 24 lekë për mililitër në vitin 2027 dhe do të arrijë në 48 lekë për mililitër në vitin 2033.
Pra, gjatë kësaj periudhe shtatëvjeçare, taksa e parashikuar për nikotinën e lëngshme do të dyfishohet.
Rritje të akcizës parashikohen gjithashtu për produktet e duhanit për përdorim oral, produktet për thithje pa djegie dhe përzierjet që përdoren në shisha apo nargjile.
Shtrenjtimi i cigareve mund të vijojë
Rritja e akcizës është një politikë që Shqipëria e ka ndjekur prej vitesh, përmes kalendarëve të njëpasnjëshëm të rritjes së taksës mbi produktet e duhanit.
Qëllimi i deklaruar i kësaj politike është kufizimi i konsumit të duhanit, përmes rritjes së kostos së tij, si dhe përafrimi gradual i sistemit të akcizave me standardet europiane.
Megjithatë, për konsumatorët, ndryshimet mund të përkthehen në çmime më të larta të cigareve tradicionale dhe produkteve alternative, nëse kompanitë vendosin ta transferojnë koston shtesë në çmimin përfundimtar. /skyweb.al















