Vetëm një ditë pasi Presidenti Bajram Begaj dekretoi 9 majin 2027 si datën e zgjedhjeve vendore, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka nxituar të shpallë publikisht rikandidimin e tij për një mandat të tretë, duke i vendosur kryeministrit Edi Rama një fakt të kryer.
Përmes një reagimi të pazakontë në Facebook, prapaskenat e të cilit nuk dihen ende, Ndreu ka deklaruar se do të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme, pa pritur një vendimmarrje publike të Partisë Socialiste për kandidatët që do të përfaqësojnë këtë forcë politike në bashkitë e vendit.
“Më 9 maj do të rikandidoj për një mandat të tretë në krye të Bashkisë Lezhë”, shkruan Ndreu, duke e paraqitur vendimin si një çështje tashmë të mbyllur.
Por mënyra dhe momenti i këtij njoftimi ngrejnë pikëpyetje mbi raportin e kryebashkiakut me drejtuesin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Në fakt, deklarata mund të lexohet edhe si një lloj ultimatumi politik ndaj kryeministrit, i cili njihet për kontrollin e fortë mbi vendimmarrjen dhe përzgjedhjen e kandidatëve socialistë.
Ndreu nuk e ka formuluar rikandidimin si një kërkesë për mbështetjen e partisë, por si një vendim personal që pret të materializohet në zgjedhjet e 9 majit.
Për ta argumentuar këtë vendim, kryebashkiaku ka renditur në një status të gjatë ato që i konsideron sukseset e administrimit të Lezhës gjatë dy mandateve.
Sipas tij, në vitin 2019 bashkia kishte 4.6 milionë euro borxhe, një buxhet prej 12.7 milionë eurosh dhe 1,200 punonjës, më shumë se gjysma e të cilëve nuk paraqiteshin në punë.
Ndreu thotë se tashmë borxhet janë shlyer, ndërsa buxheti për vitin 2027 parashikohet të arrijë në 33–34 milionë euro.
Ai thekson se 65% e buxhetit sigurohet nga të ardhurat vendore, 59% shkon për investime dhe 60% e këtyre investimeve realizohen në zonat rurale.
Kryebashkiaku rendit gjithashtu mbi 250 kilometra rrugë rurale, përmirësime në ujësjellës, kanalizime dhe sistemet kulluese, si dhe zhvillimin e turizmit.
Përmes këtij bilanci, Ndreu kërkon të argumentojë se rezultatet e administrimit të bashkisë e justifikojnë vijimin e tij në detyrë edhe për katër vite të tjera.
“Mandati i tretë nuk është kërkesë për një privilegj. Është angazhim për të përfunduar atë që kemi nisur”, shprehet ai.
Në fund, kryebashkiaku jep edhe një mesazh për kundërshtarët e tij, duke shkruar se ata që nuk e duan do të duhet ta durojnë edhe katër vite të tjera.
Megjithatë, rikandidimi i tij nuk është vetëm çështje e bilancit të punëve në Lezhë, por edhe e vendimmarrjes politike brenda Partisë Socialiste ose më saktë, vullnet i Ramës, i cili duket se për këtë bashki është sfiduar.
Pikërisht këtu qëndron edhe e veçanta e lëvizjes së Ndreut, i cili ka zgjedhur të shpallë kandidaturën përpara se drejtuesit socialistë të bëjnë publik emrat për zgjedhjet vendore.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Rama do ta pranojë këtë fakt të kryer, duke i dhënë Ndreut mbështetjen për një mandat të tretë, apo do të kërkojë që kryebashkiaku të bëjë një hap pas dhe t’i nënshtrohet vendimmarrjes së partisë.
Një situatë që mund të shndërrohet edhe në një provë autoriteti për kryeministrin, veçanërisht në një periudhë kur përzgjedhja e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme pritet të shoqërohet me përplasje dhe interesa të ndryshme brenda mazhorancës.
Pyetja është nëse Rama do ta tolerojë këtë vetëshpallje, apo do t’i tregojë Pjerin Ndreut se fjala e fundit për kandidaturat socialiste vazhdon t’i përkasë atij. /skyweb.al
















