85 organizata ndërkombëtare të shëndetit dhe mjedisit i kanë kërkuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të rishikojë kufijtë e lejuar të nitrateve në ujin e pijshëm, duke argumentuar se standardet aktuale nuk pasqyrojnë më të dhënat e fundit shkencore mbi rreziqet për shëndetin.
Në një letër të hapur drejtuar OBSH-së, organizatat, mes tyre Greenpeace International, Organizata Botërore e Mjekëve të Familjes (WONCA) dhe Byroja Evropiane e Mjedisit, kërkojnë që nitratet të përfshihen në rishikimin e ardhshëm të udhëzimeve për cilësinë e ujit të pijshëm.
Sipas standardeve aktuale të OBSH-së, kufiri maksimal i lejuar i nitrateve është 50 miligramë për litër ujë (mg/L), një normë që daton që prej vitit 1958.
Ky standard u vendos fillimisht për të parandaluar sindromën e njohur si “bebet blu”, një gjendje potencialisht fatale që ul aftësinë e gjakut për të transportuar oksigjen.
Megjithatë, organizatat paralajmërojnë se studimet e fundit kanë evidentuar lidhje mes ekspozimit afatgjatë ndaj nitrateve, edhe në nivele më të ulëta se kufiri aktual, dhe problemeve serioze shëndetësore, përfshirë kancerin kolorektal dhe komplikacionet gjatë shtatzënisë.
Ndotja e ujit nga nitratet lidhet kryesisht me përdorimin e plehrave kimike në bujqësi, rrjedhjet e mbetjeve blegtorale dhe sistemet e dëmtuara të kanalizimeve septike. Fëmijët dhe gratë shtatzëna konsiderohen ndër grupet më të rrezikuara.
Ekspertët kanë rekomanduar uljen e kufirit të nitrateve në 6 mg/L. Danimarka ka marrë angazhimin për të zbatuar këtë nivel, megjithëse ende nuk është përcaktuar një afat konkret për zbatimin e tij.
Organizatat nënvizojnë se shumica e shteteve i bazojnë standardet kombëtare të ujit të pijshëm në udhëzimet e OBSH-së, ndaj një rishikim i tyre mund të ndikojë në politikat e sigurisë së ujit në mbarë botën.
Ato kërkojnë gjithashtu masa për kufizimin e ndotjes nga bujqësia intensive dhe mbështetje për fermerët që të kalojnë drejt praktikave më ekologjike të prodhimit.
“Uji duhet të jetë burim jete, jo kërcënim për jetën”, deklaroi Amanda Larsson nga Greenpeace.
Organizatat kërkojnë që siguria e ujit të pijshëm të mbështetet në provat më të fundit shkencore, duke garantuar mbrojtjen e shëndetit publik dhe të mjedisit. /skyweb.al
















