Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka raportuar rritje të të ardhurave gjatë muajit tetor, pavarësisht protestave që kanë ndikuar në uljen e volumit të aktivitetit tregtar në vend.
Në një postim në rrjetet sociale, administrata tatimore ka bërë të ditur se gjatë tetorit 2026 janë mbledhur gjithsej 40.1 miliardë lekë të ardhura neto, duke tejkaluar planin e përcaktuar për këtë periudhë.
Sipas të dhënave zyrtare, Tatimet kanë arkëtuar 200 milionë lekë, ose rreth 2 milionë euro, më shumë sesa objektivi i vendosur për muajin tetor.
Kjo përfaqëson një tejkalim të planit me 0.6%, ndërsa krahasuar me tetorin e vitit 2025, të ardhurat janë rritur me 4 miliardë lekë, ose 11.2%.
Por ajo që bie në sy është mënyra se si administrata tatimore e ka lidhur këtë rezultat me protestat e zhvilluara gjatë muajit të kaluar.
“Me gjithë rënien e volumeve tregtare si pasojë e protestave, vijon rritja e të ardhurave tatimore edhe përgjatë muajit tetor të këtij viti”, shkruan Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.















