Policia e Shtetit ka shpallur fitues paraprak në dy tenderë për blerjen e pajisjeve për përdorim policor kompaninë “Marsi&Al”, në pronësi të Petrit Kasapit, një emër i njohur i prokurimeve publike në fushën e policisë dhe ushtrisë, i përfshirë më herët në skandalin e uniformave të Policisë së Shtetit.
Bëhet fjalë për dy procedura me një fond limit të përbashkët prej rreth 1.9 milionë euro me TVSH.
Rikthimi i Kasapit në tenderët e Policisë vjen pas një periudhe gjatë së cilës në prokurimet për pajisje policore dhe sigurie janë spikatur emra të tjerë, si Emiljano Dusha dhe Begator Mane i ROGAT Security, si dhe Arms School Academy (ASA), e lidhur me Vesel Demirajn.
Pas “vallëzimit” të këtyre të fundit me fondet publike, duket se radha për të hyrë sërish në lojë i ka ardhur Petrit Kasapit, dikur një prej përfituesve më të mëdhenj të kontratave të Policisë dhe Ushtrisë, por edhe aktor i skandaleve të bujshme me tenderët e uniformave.

Sipas dokumenteve që ka konsultuar skyweb.al, Marsi&Al ka fituar paraprakisht të dy lotet për pajisje policore, përkatësisht me oferta prej 108.16 milionë dhe 49.67 milionë lekësh pa TVSH.
Në tenderin e parë, Kasapi ka konkurruar përballë RO.GAT Security dhe MSSC Group, ndërsa Arms School Academy është skualifikuar për mungesë të autorizimit nga prodhuesi. Në tenderin e dytë ka konkurruar me kompaninë D&E, duke paraqitur sërish ofertën më të ulët.
Në të dyja rastet, Marsi&Al është shpallur fituese duke ngjallur pikëpyetje edhe për ndonjë marrëveshje paraprake mes kompanive pjesëmarrëse.

Skandali i uniformave të Policisë
Por ajo që e bën interesant rikthimin e Marsi&Al si fituese në tenderët e Policisë është historia e mëparshme e kësaj kompanie me uniformat e punonjësve të rendit.
Disa vite më parë, Policia e Shtetit njoftoi publikisht ndërprerjen e kontratës me Marsi&Al për shkak të cilësisë së dobët të uniformave që kompania duhej të prodhonte.
Në atë kohë, Policia deklaroi se kishte dërguar për ndjekje penale në Prokurori përfaqësuesit zyrtarë të kompanisë, për akuzën e “Shpërdorimit të kompetencave”.
Sipas deklaratës zyrtare, analizat laboratorike kishin konstatuar se më shumë se 10 produkte të uniformës nuk përmbushnin specifikimet teknike të tenderit.
Një ndër rastet më flagrante ishte bluza e Policisë Rrugore, e cila gjatë testimit në përdorim kishte humbur deri në 70% të ngjyrës së verdhë.
Policia njoftoi gjithashtu se kishte ndërmarrë hapat për bllokimin e garancisë financiare të kontratës dhe kishte përgatitur dokumentacionin për t’i kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik përjashtimin e Marsi&Al nga tenderët publikë për tre vjet.
Institucioni theksonte atëherë se nuk i kishte bërë asnjë pagesë kompanisë për shkak të cilësisë së dobët të mallrave dhe mospërmbushjes së kushteve kontraktuale.
Tashmë, e njëjta kompani rikthehet si fituese paraprake në dy procedura të rëndësishme të Policisë së Shtetit për pajisje të përdorimit policor.
Rikthimi i saj në garë, pas prishjes së kontratës së uniformave dhe kallëzimit të mëparshëm penal, risjell në vëmendje mënyrën se si Policia e Shtetit vlerëson historikun e operatorëve ekonomikë me të cilët lidh kontrata për furnizimin me pajisje, tashmë në kontekstin e protestave dhe nevojës për të kontrolluar turmat, pse jo, edhe njëçikë dajak. /skyweb.al















