Qeveria ka prezantuar një sistem të ri për punësimin në administratën publike, i cili parashikon që kandidatët fillimisht t’i nënshtrohen një provimi kombëtar dhe më pas të konkurrojnë për vendet e lira të punës në institucionet shtetërore.
Reforma, e quajtur “Shkalla e Meritës”, synon të ndryshojë mënyrën e rekrutimit, vlerësimit dhe ngritjes në detyrë të punonjësve të administratës, duke vendosur në qendër aftësitë profesionale dhe rezultatet në punë.
Si do të bëhet provimi kombëtar?
Sipas planit të prezantuar nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni, kandidatët do të kenë mundësi t’i nënshtrohen një testimi kombëtar edhe nëse nuk është shpallur ende një vend vakant.
Provimi do të organizohet në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA), duke marrë si referencë modelin e provimeve të Universitetit të Kembrixhit.
Testimi do të zhvillohet përmes një sistemi digjital, me provime të sekretuara dhe standarde të njëjta vlerësimi për kandidatët.
Ata që e kalojnë me sukses do të pajisen me një certifikatë, e cila do të ketë vlefshmëri katërvjeçare.
Kjo certifikatë do t’u mundësojë kandidatëve të marrin pjesë në konkurset për pozicionet përkatëse në administratë, pa qenë nevoja të nisin nga e para procesin e certifikimit për çdo vend pune.
Megjithatë, kalimi i provimit nuk do të thotë punësim automatik. Kandidatët do të duhet të konkurrojnë për pozicionet konkrete që shpallen nga institucionet.
Regjistrimi në platformën e re, gati në dhjetor
Një tjetër ndryshim është krijimi i platformës “Porta e hapur”, e cila, sipas ministres Adea Pirdeni, pritet të jetë funksionale në dhjetor 2026.
Platforma do të ndërtohet përmes transformimit të portalit ekzistues puna.gov.al dhe do t’u mundësojë qytetarëve të krijojnë profilet e tyre profesionale.
Kandidatët do të regjistrojnë kualifikimet, profesionin dhe fushën e ekspertizës, ndërsa sistemi do t’i njoftojë në kohë reale për mundësitë e punësimit që përputhen me aftësitë e tyre.
Ky mekanizëm do të jetë i aksesueshëm edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe dëshirojnë të punësohen në administratën shqiptare.
Paralelisht do të krijohet Regjistri Kombëtar i Talenteve, një bazë të dhënash me kandidatët dhe profesionistët e interesuar për të punuar në institucionet shtetërore.
Sipas Pirdenit, qëllimi është krijimi i një rezerve profesionistësh të identifikuar, të cilëve administrata mund t’u drejtohet kur ka nevojë për aftësitë e tyre.
Nga viti 2027, katalog për çdo profesion dhe pozicion pune
Reforma parashikon gjithashtu krijimin e Katalogut Kombëtar të Pozicioneve dhe Kompetencave, proces që pritet të nisë gjatë vitit 2027.
Përmes tij do të përcaktohen kategoritë e profesioneve në administratë dhe aftësitë që kërkohen për secilin profil pune.
Katalogu do të shërbejë si instrument për standardizimin e kërkesave profesionale, përzgjedhjen e kandidatëve dhe zhvillimin e karrierës.
Si do të bëhet ngritja në detyrë dhe vlerësimi i drejtorëve?
Ndryshimet nuk do të kufizohen vetëm te punësimet e reja. Qeveria synon të vendosë një sistem të vazhdueshëm vlerësimi edhe për punonjësit aktualë, përfshirë drejtuesit e institucioneve.
Ministrja Pirdeni ka njoftuar se brenda vitit 2026 do të nisë një mekanizëm i jashtëm për vlerësimin e cilësisë së drejtimit, mënyrës së marrjes së vendimeve dhe rezultateve të institucioneve.
Sipas saj, sistemi i ri do të përfshijë edhe mekanizma për njohjen dhe shpërblimin e performancës, në mënyrë që avancimi në karrierë të lidhet me rezultatet profesionale.
Pjesë e reformës do të jetë edhe sistemi MERITAI, i mbështetur në inteligjencën artificiale, i cili do të përdoret për evidentimin e problemeve dhe monitorimin e proceseve të administrimit të personelit.
Kryeministri Rama ka theksuar se inteligjenca artificiale nuk do të vendosë se kush punësohet, promovohet apo largohet nga administrata, pasi këto vendime do të mbeten përgjegjësi njerëzore dhe ligjore.
Kur nis zbatimi?
Afati i parë i shpallur është dhjetori 2026, kur pritet të vihet në funksion platforma “Porta e hapur”, ndërsa katalogu kombëtar i pozicioneve dhe kompetencave parashikohet të zhvillohet nga viti 2027.
Ende nuk është bërë publike data e organizimit të provimit të parë kombëtar, mënyra e regjistrimit për testim, numri i pikëve të nevojshme për kalimin e tij dhe procedura e hollësishme e përzgjedhjes përfundimtare.
Gjithashtu, mbetet për t’u përcaktuar se për cilat kategori të administratës do të zbatohet detyrimisht certifikimi i ri dhe si do të ndërthuret ai me procedurat ekzistuese të rekrutimit në shërbimin civil. /skyweb.al















