Makina mund ta llogarisë shpejtësinë nga rrotullimi i rrotave. Por si e di avioni sa shpejt po fluturon, kur nuk ka kontakt me tokën? Përgjigjja gjendet tek ajri që përplaset me të gjatë fluturimit.
Imagjinoni sikur nxirrni dorën jashtë dritares së një makine në lëvizje. Kur makina ecën ngadalë, ajri e shtyn lehtë dorën. Kur shpejton, shtytja bëhet më e fortë. Avioni përdor pikërisht këtë lidhje mes shpejtësisë dhe forcës së ajrit.
Në pjesën e jashtme të avionit ndodhet një tub i vogël, me një hapje të drejtuar përpara. Quhet tubi Pitot. Gjatë fluturimit, ajri hyn në këtë hapje dhe krijon presion. Në të njëjtat kushte, sa më shpejt të lëvizë avioni, aq më i madh bëhet ky presion.

Por matja e këtij presioni, e vetme, nuk mjafton. Avioni ka edhe hapje të tjera që matin presionin normal të ajrit përreth. Instrumentet krahasojnë dy matjet dhe, nga diferenca, nxjerrin shpejtësinë.
Meqë në lartësi ajri është më i rrallë, për të llogaritur shpejtësinë reale përmes tij duhen marrë parasysh edhe lartësia dhe temperatura.
Këtu ka një dallim të rëndësishëm: shpejtësia përmes ajrit dhe shpejtësia ndaj tokës nuk janë gjithmonë të njëjta.Arsyeja është se edhe vetë ajri lëviz, kjo është era.

Për shembull, një avion fluturon përmes ajrit me 800 kilometra në orë. Nëse era fryn nga pas, në të njëjtin drejtim, me 100 kilometra në orë, ajo e shtyn përpara: avioni përshkon 900 kilometra mbi tokë në një orë. Nëse e njëjta erë fryn përballë, përshkon vetëm 700 kilometra.
Prandaj udhëtimi i vajtjes dhe ai i kthimit mund të zgjasin ndryshe, edhe kur avioni fluturon me të njëjtën shpejtësi përmes ajrit. /skyweb.al
















