Një avion MiG-29 i Forcave të Armatosura të Serbisë është rrëzuar mëngjesin e së martës, 17 nëntor, në një zonë pranë Beogradit, duke shkaktuar vdekjen e pilotit që ndodhej në bord.
Ministria serbe e Mbrojtjes konfirmoi se aksidenti ndodhi rreth orës 08:45, pranë qytetit Stara Pazova, rreth 30 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit.
Avioni i përkiste Brigadës së 204-t Ajrore të Forcave të Armatosura serbe, me bazë në aeroportin ushtarak të Batajnicës.
Viktima është identifikuar si majori Goran Bulajić, 53 vjeç, një pilot me përvojë i aviacionit ushtarak serb.
Bulajić kishte lindur më 25 mars 1973 në Beograd dhe shërbente në ushtri që prej vitit 1996. Ai kishte një karrierë të gjatë në aviacionin luftarak dhe ishte trajnuar për drejtimin e avionëve MiG-29.
Sipas mediave serbe, avioni u rrëzua në një fushë ndërmjet vendbanimeve Stara Pazova dhe Nova Pazova, ku pas përplasjes shpërtheu në flakë.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë, policia ushtarake, zjarrfikësit dhe ekipet e urgjencës mjekësore.
Dëshmitarë të cituar nga mediat vendase raportuan se kishin dëgjuar një zhurmë të fortë përpara rrëzimit, ndërsa nga vendi i aksidentit u ngrit një re e dendur tymi të zi.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Ministria e Mbrojtjes nuk ka konfirmuar nëse rrëzimi është shkaktuar nga një defekt teknik, gabim njerëzor apo kushte të pafavorshme gjatë fluturimit.
Autoritetet kanë ngritur dy komisione hetimore. Njëri do të shqyrtojë rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë e mundshme organizative, ndërsa komisioni i ekspertëve të Forcave Ajrore do të përcaktojë shkaqet teknike dhe operacionale të aksidentit.
Në vendngjarje kanë nisur hetimet edhe organet e prokurorisë, me pjesëmarrjen e Prokurorisë së Lartë Publike në Sremska Mitrovica.
Ngjarja rikthen vëmendjen te flota e avionëve luftarakë të Serbisë. Sipas Reuters, ushtria serbe operonte 14 avionë MiG-29, të prodhuar ndërmjet viteve 1987 dhe 1991.
Serbia ka planifikuar zëvendësimin gradual të tyre me 12 avionë luftarakë francezë Dassault Rafale F4, të porositur në vitin 2024 për rreth 2.7 miliardë euro. Dorëzimi i tyre pritet të nisë në vitin 2028.
Sipas Reuters, që nga viti 2006, aviacioni ushtarak serb ka regjistruar 14 aksidente ajrore, me gjithsej 17 viktima, përpara se bilanci të përditësohej me ngjarjen e fundit. /skyweb.al
















