Një ndërprerje e papritur ka prekur rrjetin e brendshëm të komunikimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA), i njohur si NSA Net, i cili përdoret nga punonjësit për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar.
Sipas burimeve të CNN, gjashtë persona të njohur me situatën kanë konfirmuar se rrjeti ka dalë jashtë funksionit. Deri më tani, nuk ka prova që ndërprerja të jetë shkaktuar nga një sulm kibernetik.
Për shkak të problemeve, agjencia ka vendosur një sistem hyrjesh të shkallëzuara për personelin, ndërsa po vijon puna për të përcaktuar përmasat dhe shkaqet e defektit.
Megjithatë, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë kanë siguruar se ndërprerja nuk cenon komunikimin e inteligjencës me rëndësi urgjente me presidentin Donald Trump, i cili ndodhet në Filipine, përpara vizitës së planifikuar në Kinë. Sipas tyre, qeveria amerikane disponon rrjete rezervë dhe sisteme alternative të sigurta komunikimi.
Problemi në NSA vjen pas një sërë defektesh të mëdha teknologjike në SHBA. Pak ditë më parë, një problem në sistemet e Administratës Federale të Aviacionit (FAA), i shkaktuar nga një router në Arkansas, çoi në pezullimin e përkohshëm të fluturimeve në të gjithë vendin. Ndërkohë, një tjetër ndërprerje preku shërbimet e Microsoft, duke pamundësuar për shumë përdorues aksesin në Outlook dhe Teams.
Edhe pse nuk ka indikacione për sulme kibernetike në asnjërin prej këtyre rasteve, incidentet kanë rikthyer vëmendjen te cenueshmëria e infrastrukturës teknologjike dhe pasojat që defektet e sistemeve mund të kenë për sigurinë kombëtare. /skyweb.al
















