Siguracioni i detyrueshëm i automjeteve do të vazhdojë të ofrojë mbulim edhe për 15 ditë pas përfundimit të afatit të policës, por kjo periudhë shtesë do të shoqërohet me detyrime financiare për drejtuesit e mjeteve. Nëse gjatë këtyre ditëve ndodh një aksident, pronari i siguruar do të detyrohet të paguajë të gjithë primin e sigurimit për vitin pasardhës.
Ky është një nga ndryshimet që parashikon projektligji i ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i propozuar nga qeveria, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual.
Sipas nenit 8 të projektligjit, të konsultuar nga skyweb.al, të drejtat dhe detyrimet e kontratës së sigurimit do të zgjaten automatikisht për 15 ditë pas skadimit të saj, me kusht që klienti të mos e ketë njoftuar kompaninë, të paktën tri ditë përpara përfundimit të kontratës, se nuk dëshiron rinovimin.
Kjo do të thotë se një drejtues automjeti, siguracioni i të cilit përfundon më 30 nëntor, mund të vazhdojë të përfitojë mbulim deri më 15 dhjetor, nëse plotëson kushtet e përcaktuara në ligj.
Por kjo periudhë shtesë nuk është pa detyrime.
Nëse drejtuesi i mjetit shkakton një aksident gjatë këtyre 15 ditëve, zbatohet pika 10 e nenit 8, e cila përcakton shprehimisht se i siguruari është i detyruar të paguajë primin e sigurimit për të gjithë vitin pasardhës.
Për shembull, nëse një qytetar ka një policë sigurimi që kushton 20 mijë lekë në vit dhe përfshihet në një aksident pesë ditë pas skadimit të saj, ai do të duhet të paguajë primin vjetor të sigurimit për periudhën pasardhëse. Shuma konkrete do të varet nga tarifa e zbatueshme për rinovimin.
Projektligji parashikon një tjetër detyrim edhe për rastet kur drejtuesi i automjetit vendos të ndryshojë kompaninë e sigurimit.
Sipas pikës 11 të nenit 8, nëse gjatë periudhës 15-ditore klienti lidh kontratë me një shoqëri tjetër, kompania e mëparshme ka të drejtë t’i kërkojë pagesën e primit për ditët gjatë të cilave ka vazhduar mbulimin.
Konkretisht, nëse siguracioni përfundon më 30 nëntor dhe drejtuesi blen një policë të re nga një kompani tjetër më 7 dhjetor, siguruesi i mëparshëm mund të kërkojë pagesën për periudhën e mbulimit deri në lidhjen e kontratës së re.
Kjo pagesë llogaritet në përpjesëtim me kohëzgjatjen e mbulimit dhe jo si prim për një vit të plotë, në rastin e thjeshtë të ndryshimit të kompanisë pa ndodhur një ngjarje sigurimi.
Në këtë mënyrë, projektligji synon të shmangë ndërprerjen e menjëhershme të mbrojtjes së sigurimit për shkak të vonesës në rinovim, por njëkohësisht u njeh kompanive të drejtën të kërkojnë pagesë për periudhën gjatë së cilës vazhdojnë të mbulojnë rrezikun.
Megjithatë, dispozita krijon një dallim të rëndësishëm mes vazhdimit të mbulimit dhe pagesës së policës. Periudha 15-ditore nuk nënkupton se drejtuesit përfitojnë automatikisht siguracion falas apo se detyrimi për rinovimin e policës është hequr.
Një tjetër parashikim i nenit 8 detyron kompanitë e sigurimit që, kur konstatojnë se mbulimi i një automjeti ka përfunduar, të njoftojnë organet përgjegjëse për regjistrimin e mjeteve, kontrollin e trafikut rrugor dhe Qendrën e Informacionit brenda 15 ditëve nga konstatimi.
Ndryshimet janë pjesë e reformës së sigurimit të detyrueshëm motorik, që synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian. /skyweb.al
















