Rreth 11,4 mijë studentë nga Shqipëria ndoqën studimet e larta jashtë vendit në vitin 2024, sipas të dhënave të Eurostat për 32 vende europiane. Italia vijon të jetë destinacioni më i preferuar për studentët shqiptarë, e ndjekur nga Gjermania, Greqia dhe Turqia.
Të dhënat tregojnë se vitet e fundit Gjermania po i afrohet gjithnjë e më shumë Italisë si destinacion për studime. Ndërkohë, numri i studentëve shqiptarë në Turqi ka shënuar një rënie të lehtë. Shqipëria renditet e para në Ballkan për numrin e studentëve që ndjekin arsimin e lartë jashtë vendit, duke lënë pas edhe Serbinë, e cila ka një popullsi rreth tri herë më të madhe.

Në vitin 2024, Italia priti 3,561 studentë nga Shqipëria, ndërsa në Gjermani studionin 2,965 të tillë. Interesi për universitetet gjermane është rritur ndjeshëm, pasi që nga viti 2021 numri i studentëve shqiptarë në këtë vend është shtuar me rreth 19%. Në të njëjtën periudhë, rritja në Itali ishte vetëm 5%.
Në vendin e tretë renditej Greqia, me 1,235 studentë shqiptarë, ndërsa Turqia zinte vendin e katërt me 1,023 studentë. Në këtë të fundit, numri i shqiptarëve që ndiqnin studimet e larta u rrit nga 644 në vitin 2014 në afro 1,150 në vitin 2020. Pas këtij viti, shifra ka ardhur në rënie graduale, por vijon të qëndrojë mbi 1 mijë studentë.
Ndër destinacionet e tjera të preferuara janë Franca, me 579 studentë shqiptarë, dhe Austria, me 530. Rumania renditet gjithashtu ndër vendet ku shqiptarët zgjedhin të studiojnë, me 291 studentë, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 172, Bullgaria me 166, Belgjika me 148 dhe Zvicra me 142 studentë.
Nga numri i përgjithshëm i studentëve shqiptarë të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë në Europë, 9,968 ndodheshin në vendet e Bashkimit Europian. Kjo shifër ishte 4,7% më e ulët krahasuar me vitin 2023.
Megjithatë, Shqipëria vijon të kryesojë në Ballkanin Perëndimor për numrin e studentëve që ndjekin studimet në vendet e BE-së. Gjashtë vendet e rajonit kishin së bashku rreth 29 mijë studentë në universitetet europiane.
Pas Shqipërisë renditej Serbia me 7,761 studentë, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 6,080, Maqedonia e Veriut me 2,439, Kosova me 2,020 dhe Mali i Zi me 748 studentë.
Shifrat tregojnë se Shqipëria mbetet vendi me numrin më të lartë të studentëve që zgjedhin të ndjekin arsimin e lartë jashtë vendit në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. /skyweb.al
















