Përplasja mes Identitek dhe kompanive të lidhura me emra të dosjes AKSHI ka përfunduar me urdhrin për anulimin e një tenderi rreth 107 mijë euro.
Ankesa kundër përjashtimit nga gara nxori në pah një problem që niste te vetë institucioni shtetëror, kushtet e tenderit ishin hartuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit, ndërsa vlen të theksohet fakti se në këtë tender ishin mbledhur disa kompani të dosjesh AKSHI.
Bëhet fjalë për blerjen e një sistemi që organizon telefonatat, jep përgjigje automatike dhe lidh qytetarët me operatorët e Identitek, shoqërisë që prodhon kartat e identitetit dhe pasaportat me fond limit rreth 9.82 milionë lekë me TVSH.
Në garën e zhvilluar më 14 korrik u paraqitën shtatë oferta. Mes pjesëmarrësve ishte bashkimi Soft & Solution–NSolution, kompani të lidhura me Ermal Beqirin, si dhe Communication Progress, në pronësi të Gentian Likajt, kunatit të Beqirit.
Pjesë e procedurës ishte edhe Intelisoft, në pronësi të Gëzim Hoxhës, po ashtu pjesë e dosjes AKSHI. Hoxha është përmendur në raportimet e mëparshme të Skyweb.al mbi dosjen AKSHI dhe tenderët e kompanisë tjetër të tij, FIRST.
Communication Progress kishte ofruar çmimin më të ulët, 4.99 milionë lekë, ndërsa Soft & Solution–NSolution kërkonte 5.91 milionë lekë. Identitek i përjashtoi të dyja ofertat dhe shpalli fitues Vodafone Albania, me rreth 6.14 milionë lekë pa TVSH.
Për kompaninë e Likajt, institucioni argumentoi se çmimi ishte anomalisht i ulët. Për bashkimin e dy kompanive të tjera, shkak u bënë kontratat e tre punonjësve të NSolution: të lidhura në vitin 2024 dhe me afat njëmujor, ato nuk provonin, sipas Identitek, se stafi ishte ende në dispozicion për realizimin e kontratës.
Soft & Solution dhe NSolution e kundërshtuan vendimin. Sipas ankesës së tyre, më 21 korrik ishin njoftuar se renditeshin të parat dhe u ishte kërkuar të dorëzonin dokumentacionin në letër. Pasi e dorëzuan, më 5 gusht u përjashtuan, duke pretenduar se institucioni po përdorte kundër tyre dokumente që i kishte marrë edhe elektronikisht.
Identitek mbrojti përjashtimin. Por kur çështja mbërriti në KPP, shqyrtimi nxori në pah gabimin në hartimin e kushteve të garës.
Institucioni kishte kërkuar dokumente origjinale ose të noterizuara që në fazën e ofertimit, duke parashikuar përjashtimin e kompanive nëse nuk i dorëzonin. KPP konstatoi se ky kusht shmangte rregullat: fillimisht kompanitë plotësojnë vetëdeklarimin, ndërsa dokumentet provuese verifikohen më pas, sipas procedurës ligjore.
“Dokumentet e tenderit janë haptazi jo në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik”, thuhet në vendim.
Më 28 shtator, KPP pranoi pjesërisht ankesën dhe urdhëroi Identitek të anulonte të gjithë tenderin. Institucionit iu kërkua që, nëse e rihap garën, të korrigjojë kushtet sipas konstatimeve të Komisionit. Një procedurë që kishte mbërritur deri te shpallja e fituesit duhet tashmë të nisë nga e para, ndërsa vlen të theksohet fakti se kompanitë e Ermal Beqirit, Gëzim Hoxhës dhe Gentian Likajt vijojnë punën normalisht edhe pse pronarët ose janë arrestuar ose janë nën hetim. /skyweb.al
















