Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një procedim penal pas një kallëzimi të depozituar ndaj deputetes së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ku ngrihen dyshime për një sërë veprash penale që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë.
Procedimi është regjistruar së fundmi, ndërsa SPAK ka nisur veprimet paraprake për verifikimin e fakteve dhe rrethanave të paraqitura në kallëzim.
Bëhet fjalë për dyshime lidhur me veprat penale të “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimit të detyrës”, si dhe “Korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Materiali kallëzues thuhet se mbështetet në një sërë dokumentesh dhe të dhënash që lidhen me pasuritë dhe aktivitetet ekonomike të personave të përmendur.
Mes tyre përfshihen deklarimet e pasurisë, dokumentacioni i shoqërive tregtare, ndryshimet në strukturën e pronësisë, transaksionet financiare, të ardhurat, si dhe pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme.
Në dokumentin e kallëzimit përmenden gjithsej pesë persona. Krahas Elisa Spiropalit, në listë figuron edhe bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj, si dhe tre persona të tjerë, emrat e të cilëve janë përfshirë në materialin e depozituar pranë SPAK.
Sipas informacioneve, procedimi penal është regjistruar për veprat penale të referuara në kallëzim, ndërsa veprimet hetimore synojnë verifikimin e dokumentacionit dhe pretendimeve të ngritura. /skyweb.al















