Fation Shehu është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Doganave, duke zëvendësuar Besmir Bejën. Vendimi i marrë këtë të premte, më 20 nëntor, e vendos ish-drejtuesin e Antikontrabandës në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme për ekonominë dhe financat publike, por edhe të një administrate mbi të cilën rëndojnë denoncime të shumta për korrupsion dhe presione ndaj bizneseve.
Emërimi i tij vjen në një moment kur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nevojë jo vetëm për një drejtues të ri, por mbi të gjitha për një ndryshim të mënyrës se si funksionojnë strukturat e saj në terren.
Prej muajsh, Skyweb.al ka raportuar për problematika të rënda në disa prej degëve kryesore doganore të vendit, nga Durrësi dhe Kapshtica te Morina dhe Bllata.
Në qendër të këtyre raportimeve kanë qenë denoncimet e bizneseve për ekzistencën e grupeve të organizuara brenda administratës dyshohet, të cilat dyshohet se kanë kthyer uniformën e shtetit në një instrument presioni, zhvatjeje dhe përfitimi personal.
Sipas informacioneve dhe ankesave të trajtuara nga redaksia, në disa pika doganore funksiononte një sistem tarifash informale, ku çdo procedurë kishte çmimin e saj.
Nga kalimi i një furgoni me mallra, te zhdoganimi i automjeteve apo shmangia e kontrolleve për ngarkesa të caktuara, bizneset kanë përshkruar një mekanizëm ku pagesat e paligjshme dyshohet se ishin kthyer në praktikë të zakonshme.
Në Doganën e Durrësit, Skyweb.al publikoi denoncime ku përmendeshin tarifa ryshfeti prej qindra eurosh për automjete dhe furgonë, deri në mijëra euro për ngarkesa të caktuara.
Në Bllatë, redaksia raportoi për një grup të dyshuar doganierësh, ku një personazh i njohur me nofkën “Laluci” përmendej nga bizneset si një prej njerëzve që kontrollonin kalimin e mallrave dhe pagesat informale.
Pikërisht këtu qëndron sfida e vërtetë e Fation Shehut.
Drejtori i ri nuk vjen nga jashtë administratës. Ai ka drejtuar për katër vite strukturën e Antikontrabandës dhe e njeh funksionimin e sistemit doganor, mekanizmat e kontrollit dhe problematikat e kësaj administrate.
Kjo përvojë mund të jetë një avantazh i rëndësishëm, por njëkohësisht e rrit përgjegjësinë e tij për të identifikuar dhe goditur çdo praktikë korruptive.
Kush është Fation Shehu?
Fation Shehu është avokat me profesion. Nga tetori i vitit 2012 deri në qershor 2022 ka ushtruar profesionin në një studio ligjore, përpara se të kalonte në administratën doganore.
Prej gushtit 2022 ka drejtuar Antikontrabandën, një nga strukturat kryesore përgjegjëse për luftën kundër kontrabandës dhe veprimtarive të paligjshme në fushën doganore.
Gjatë kësaj periudhe, Doganat Shqiptare u vlerësuan me Çmimin e Parë të SELEC për vitin 2025, për bashkëpunimin ndërkombëtar në goditjen e krimit të organizuar. Shehu ka marrë pjesë gjithashtu në programe ndërkombëtare trajnimi për kontrollin dhe sigurinë doganore.
Përvoja e krijuar në drejtimin e Antikontrabandës përbën një bazë të rëndësishme për detyrën e re, por suksesi i tij do të matet me rezultatet konkrete në administratë.
Skyweb.al shpreson që ardhja e Fation Shehut në krye të Doganave të shënojë fundin e praktikave të denoncuara të zhvatjes dhe presionit ndaj bizneseve, largimin e elementeve të korruptuara dhe rikthimin e besimit te një institucion që duhet të mbrojë interesin publik.
Sepse Doganat nuk duhet të jenë vendi ku bizneset shkojnë me frikën se sa do t’u kërkohet për të kaluar mallrat, por një institucion ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë. /skyweb.al
















