Pavarësisht kufizimeve të vendosura nga qeveria shqiptare për importin e mishit nga Brazili, ky vend vijon të mbetet furnizuesi më i madh i tregut shqiptar. Madje, të dhënat e muajve shtator dhe tetor tregojnë se pesha e mishit brazilian në importet totale është rritur, në vend që të ulej.
Gjatë shtatorit dhe tetorit 2026 Shqipëria importoi rreth 9,700 tonë mish dhe të brendshme të ngrënshme, nga të cilat afro 3,360 tonë erdhën nga Brazili.
Kjo do të thotë se vendi amerikano-latin mbuloi rreth 34.5% të importeve totale të mishit gjatë dy muajve, megjithëse prej 3 shtatorit kishin hyrë në fuqi kufizimet për importin e mishit të gjedhit dhe të shpendëve nga ky shtet.
Për krahasim, gjatë periudhës janar-gusht 2026, Shqipëria kishte importuar 32,400 tonë mish, nga të cilat rreth 10,700 tonë me origjinë braziliane.
Në atë periudhë, Brazili përfaqësonte 32.9% të importeve, ndërsa në shtator dhe tetor pesha e tij u rrit në 34.5%, ose 1.6 pikë përqindjeje më shumë.
Shifrat tregojnë se kufizimet nuk kanë sjellë ende një ndryshim të dukshëm në strukturën e furnizimit të tregut shqiptar, i cili vijon të jetë shumë i varur nga importet braziliane.
Ndërkohë, as vendet e tjera nuk rezultojnë ta kenë zëvendësuar Brazilin si furnizues kryesor.
Pesha e Shteteve të Bashkuara në importet shqiptare të mishit ra nga 18.1% në periudhën janar-gusht në 14.7% gjatë shtatorit dhe tetorit.
Greqia ruajti një peshë prej rreth 16.5%, ndërsa Italia e rriti lehtë pjesëmarrjen nga 9.8% në 10.4%. Rritje shënuan edhe Polonia dhe Rumania, por nga nivele më të ulëta.
Pse vijon importi i mishit brazilian pas ndalimit?
Më 3 shtator 2026, Shqipëria nisi zbatimin e kufizimeve të reja për mishin e gjedhit dhe të shpendëve nga Brazili, pas ndryshimeve në rregullat e Bashkimit Evropian për importin e produkteve me origjinë shtazore.
Megjithatë, masa nuk përbën një ndalim të përgjithshëm për të gjitha kategoritë e mishit brazilian.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kishte sqaruar se ngarkesat e mishit të gjedhit dhe shpendëve, për të cilat certifikatat veterinare ishin lëshuar përpara datës 3 shtator, do të lejoheshin të hynin në Shqipëri edhe pas kësaj date.
Ndërkohë, statistikat e INSTAT-it përfshijnë edhe kategori të tjera, mes tyre mishin e derrit, për të cilin autoritetet shqiptare kanë deklaruar se marrëdhëniet tregtare me Brazilin janë ende në proces rishikimi.
Deri atëherë, statistikat dëshmojnë se, të paktën gjatë dy muajve të parë pas vendosjes së kufizimeve, Brazili jo vetëm ka ruajtur pozicionin si furnizuesi kryesor i Shqipërisë me mish të importuar, por ka rritur edhe peshën e tij në treg.















