Supermarketet, grumbulluesit dhe bizneset e tjera që blejnë produkte bujqësore dhe ushqimore do të përballen me rregulla më të ashpra për pagesat ndaj fermerëve dhe furnizuesve. Qeveria po përgatit një kuadër të ri ligjor që ndalon vonesat e pajustifikuara në pagesa, ndryshimin e njëanshëm të kontratave dhe praktikat e tjera tregtare që dëmtojnë prodhuesit.
Ndryshimet parashikohen në projektligjin “Për organizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe praktikat e padrejta tregtare”, i cili synon të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet fermerëve, grumbulluesve, përpunuesve dhe rrjeteve të shitjes me pakicë.
Një nga ndërhyrjet kryesore lidhet me afatet e pagesave për produktet e dorëzuara nga fermerët dhe furnizuesit.
Sipas nenit 30, për produktet bujqësore dhe ushqimore që prishen, blerësit nuk do të lejohen t’i kryejnë pagesat përtej afatit prej 30 ditësh. Për produktet e tjera që nuk prishen, afati maksimal është 60 ditë.
Llogaritja e këtyre afateve varet nga mënyra e furnizimit dhe përcaktimi i shumës së pagueshme. Për dorëzimet e rregullta merret parasysh përfundimi i periudhës së furnizimit ose data e përcaktimit të pagesës, ndërsa për dorëzimet e veçanta data e dorëzimit ose ajo e përcaktimit të shumës, sipas kushteve të ligjit.
Në rastet kur është vetë blerësi që përcakton shumën e pagueshme, afati llogaritet nga dorëzimi ose përfundimi i periudhës së furnizimit, duke shmangur shtyrjen e pagesave përmes vonesave në përllogaritjen e faturës.
Këto kufizime synojnë të mbrojnë fermerët dhe prodhuesit që dorëzojnë mallrat, por detyrohen të presin për të marrë paratë, ndërkohë që duhet të përballojnë shpenzimet për prodhimin e radhës.
Ndalohen anulimet e porosive dhe ndryshimet e njëanshme të çmimeve
Projektligji nuk kufizohet vetëm te afatet e pagesave.
Blerësve do t’u ndalohet anulimi i njëanshëm i porosive për produkte që prishen, me njoftim më të shkurtër se 30 ditë, me përjashtim të afateve të posaçme që mund të përcaktohen për sektorë të caktuar.
Po ashtu, ndalohet ndryshimi i njëanshëm i kushteve të furnizimit, përfshirë çmimin, sasitë e porositura, kohën e dorëzimit dhe kushtet e pagesës.
Një tjetër praktikë e ndaluar është detyrimi i fermerëve për të përballuar humbjet apo dëmtimet e produkteve që ndodhin në ambientet e blerësit ose pasi pronësia ka kaluar tek ai, kur dëmi nuk është shkaktuar nga furnizuesi.
Projektligji vendos kufizime edhe për supermarketet që u kërkojnë furnizuesve të paguajnë për ekspozimin e mallrave në rafte, reklamat, promovimet apo kthimin e produkteve të pashitura.
Këto praktika do të lejohen vetëm nëse janë dakordësuar paraprakisht, në mënyrë të qartë dhe me shkrim, sipas kushteve të përcaktuara në ligj.
Gjithashtu, blerësit nuk do të lejohen të kërcënojnë ose të ndërmarrin veprime hakmarrëse ndaj furnizuesve që paraqesin ankesa për shkeljen e të drejtave të tyre.
Gjoba deri në 9 milionë lekë, për kompanitë e mëdha deri në 5% të xhiros
Për shkeljen e praktikave tregtare të ndaluara në çdo rast, projektligji parashikon gjoba të diferencuara sipas madhësisë së biznesit.
Për subjektet mikro, gjobat variojnë nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë, ndërsa për bizneset e vogla nga 300 mijë deri në 1.5 milionë lekë.
Për subjektet e mesme, sanksionet arrijnë deri në 7.5 milionë lekë, ndërsa për bizneset e mëdha gjobat variojnë nga 7.5 deri në 9 milionë lekë.
Megjithatë, për kompanitë me qarkullim vjetor mbi 1 miliard lekë, autoritetet mund të vendosin alternativisht një gjobë deri në 5% të qarkullimit vjetor, nëse sanksionet e zakonshme konsiderohen të pamjaftueshme dhe masa justifikohet nga rëndësia e shkeljes.
Kjo do të thotë se për një kompani me qarkullim vjetor prej 5 miliardë lekësh, gjoba maksimale e llogaritur sipas këtij mekanizmi mund të arrijë teorikisht në 250 milionë lekë.
Përveç gjobave, autoritetet mund të urdhërojnë ndërprerjen e praktikave të padrejta dhe kthimin e shumave që janë marrë padrejtësisht nga furnizuesit.
Për mbikëqyrjen e këtyre marrëdhënieve parashikohet krijimi i një njësie të posaçme brenda Ministrisë së Bujqësisë, e cila do të shqyrtojë ankesat dhe do të kryejë hetime për shkeljet e mundshme.
Projektligji synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me Direktivën e Bashkimit Evropian 2019/633 për luftën kundër praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit bujqësor dhe ushqimor.
Nëse miratohet, kuadri i ri do të vendosë kufizime të rëndësishme për fuqinë negociuese të blerësve të mëdhenj, duke synuar mbrojtjen e fermerëve dhe furnizuesve nga vonesat në pagesa dhe kushtet e njëanshme të tregtimit.















