Qeveria po përgatit një reformë të sistemit të subvencioneve në bujqësi, e cila parashikon zëvendësimin e skemave ekzistuese të mbështetjes brenda dy viteve dhe krijimin e mekanizmave të rinj të financimit për fermerët, investimet bujqësore dhe kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore.
Ndryshimet janë pjesë e projektligjit të ri “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Bujqësisë, i cili synon përafrimin e sistemit shqiptar të subvencioneve me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian.
Sipas nenit 45, skemat aktuale do të vazhdojnë të zbatohen deri në zëvendësimin e tyre me mekanizmat e rinj, por jo më vonë se 24 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit.
Ndryshimi kryesor lidhet me mënyrën e planifikimit të subvencioneve. Aktualisht, kriteret, sektorët dhe shumat e mbështetjes përcaktohen kryesisht përmes vendimeve vjetore të qeverisë, duke krijuar pasiguri për fermerët që planifikojnë investime afatgjata.
Me sistemin e ri, politikat e mbështetjes do të bazohen në një Dokument Strategjik shtatëvjeçar, ku do të përcaktohen sektorët prioritarë, llojet e financimit, kriteret e përfitimit dhe objektivat që duhet të arrihen me fondet publike.
Projektligji parashikon pagesa vjetore për hektarë dhe krerë bagëtish, mbështetje për të ardhurat e fermerëve, financime për investime, si dhe subvencione të diferencuara për fermerët e vegjël dhe familjarë.
Për mbështetjen bazë të të ardhurave do të vendosen edhe tavane maksimale vjetore, ndërsa përfitimet do të reduktohen në mënyrë progresive për fermerët që marrin shuma më të mëdha.
Paketë e veçantë financiare për të rinjtë
Një nga risitë më të rëndësishme është krijimi i një pakete të integruar mbështetjeje për të rinjtë që vendosin të hyjnë në sektorin bujqësor.
Neni 19 parashikon financim për nisjen e aktivitetit, mbështetje plotësuese të të ardhurave, si dhe norma më të larta subvencionimi për investimet në fermë.
Përfituesit do të duhet të paraqesin një plan biznesi, ndërsa programi do të përfshijë edhe shërbime këshillimore, trajnime dhe mbështetje për transferimin e fermave nga një brez te tjetri.
Kriteret e moshës, shumat dhe kufijtë maksimalë të financimit do të përcaktohen në dokumentet dhe programet përkatëse të mbështetjes.
Subvencione për sigurimin e fermave dhe dëmet nga fatkeqësitë
Projektligji krijon gjithashtu bazën për një mekanizëm më të strukturuar të përballimit të dëmeve nga përmbytjet, thatësirat, ngjarjet e tjera të pafavorshme klimatike dhe sëmundjet e kafshëve apo bimëve.
Sipas nenit 20, fermerët do të mund të përfitojnë mbështetje për pagesën e primeve të sigurimit bujqësor, pjesëmarrjen në fonde të përbashkëta për menaxhimin e rrezikut dhe kompensimin e humbjeve në rast krize.
Një element i rëndësishëm është se fermerët që kanë siguruar aktivitetin e tyre do të përfitojnë norma më të larta mbështetjeje në rast dëmesh, krahasuar me ata që nuk mbulohen nga instrumente sigurimi.
Megjithatë, kompensimi nuk do të jetë automatik. Ngjarja duhet të njihet zyrtarisht dhe humbjet duhet të tejkalojnë një prag minimal, i cili do të përcaktohet sipas rregullave përkatëse.
Në rast fatkeqësish të rënda që prekin një zonë të tërë, ministri i Bujqësisë mund të njohë gjendjen e forcës madhore për të gjithë territorin e prekur, pa kërkuar që çdo fermer të paraqesë individualisht prova për ngjarjen.
Reforma parashikon edhe forcimin e kontrolleve mbi shpërndarjen e subvencioneve, përmes një sistemi të integruar që do të përdorë identifikimin elektronik të parcelave dhe të dhënat satelitore për monitorimin e tokave bujqësore.
Sipas relacionit shoqërues, projektligji ka efekte financiare të parashikuara prej rreth 24 miliardë lekësh për periudhën 2026–2029, shumë që përfshin fondet e planifikuara në buxhet dhe jo vetëm financime të reja. /skyweb.al















