Kompania Anthropic, krijuesja e chatbot-it të inteligjencës artificiale Claude, ka shënuar një rekord në debutimin e saj në bursë, duke siguruar 81 miliardë dollarë nga shitja e aksioneve.
Interesi i jashtëzakonshëm i investitorëve bëri që kompania të shiste më shumë aksione nga sa kishte planifikuar fillimisht. Çmimi i tyre u vendos në 83 dollarë për aksion, mbi intervalin fillestar prej 70 deri në 78 dollarësh.
Sipas vlerësimit të tregut, kompania pritet të arrijë një vlerë prej rreth 1.5 trilion dollarësh, duke u renditur mes kompanive më të vlefshme në botë.
Ky debutim konsiderohet një moment vendimtar për industrinë e inteligjencës artificiale, pasi Anthropic është kompania e parë e fokusuar tërësisht në AI që shet publikisht aksionet e saj në bursë.
Megjithatë, suksesi i saj vjen në një kohë kur investitorët po ngrenë pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë financiare të sektorit dhe aftësinë e kompanive të inteligjencës artificiale për të kthyer në fitim investimet e mëdha në teknologji dhe infrastrukturë.
Shtatë themeluesit e kompanisë, të cilët e krijuan Anthropic në vitin 2021, pritet të bëhen miliarderë pas këtij debutimi.
Interesi i lartë për aksionet e kompanisë tregon besimin e madh të tregut te potenciali i inteligjencës artificiale, por njëkohësisht e vendos Anthropic përballë pritshmërive të larta për të justifikuar vlerësimin e saj rekord. /skyweb.al















