Bordi i Transparencës ka caktuar çmimet e reja të shitjes së karburanteve në vend. Sipas vendimit të marrë këtë të enjte, 19 nëntor, çmimi maksimal i naftës në pakicë do të jetë 201 lekë për litër, ndërsa në shumicë 189 lekë për litër.
Edhe benzina do të tregtohet me çmim të kufizuar. Një litër benzinë nuk do të shitet më shumë se 160 lekë në pakicë dhe 148 lekë në shumicë.
Sa i përket gazit për automjete, çmimi maksimal është përcaktuar në 71 lekë për litër në pakicë dhe 59 lekë për litër në shumicë.
Ndërkohë, çmimi i gazoilit për aktivitetin e peshkimit do të jetë 105 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 19 nëntor, në orën 14:00 dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur mund të rishikohen në varësi të ndryshimeve në treg.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për zbatimin e detyrueshëm të vendimit, duke paralajmëruar se në rast konstatimi të shkeljeve do të vendoset pezullimi i aktivitetit. /skyweb.al















