Siguracionet e detyrueshme të automjeteve mund të shtrenjtohen duke nisur nga viti 2028, si pasojë e rritjes së kufijve të përgjegjësisë financiare që kompanitë e sigurimit do të duhet të mbulojnë në rast aksidentesh rrugore.
Projektligji i ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i konsultuar nga skyweb.al, parashikon rritjen e përvitshme të shumave maksimale të dëmshpërblimit që mbulohen nga policat TPL, duke shtuar ekspozimin financiar të kompanive të sigurimit.
Sipas nenit 52 të projektligjit, për kontratat e lidhura nga 1 janari 2028, kufijtë minimalë të përgjegjësisë do të rriten çdo vit me 25 milionë lekë për dëmet ndaj personave, 15 milionë lekë për dëmet ndaj pronës dhe 20 milionë lekë për çdo person të dëmtuar.
Aktualisht, projektligji përcakton si kufij bazë të mbulimit për automjetet e zakonshme shumën prej 100 milionë lekësh për dëmet ndaj personave nga një aksident, 20 milionë lekësh për dëmet ndaj pronës dhe 45 milionë lekësh për çdo person të dëmtuar.
Me rritjen e parë të parashikuar për vitin 2028, këto kufij do të arrijnë përkatësisht në 125 milionë lekë për dëmet ndaj personave, 35 milionë lekë për dëmet ndaj pronës dhe 65 milionë lekë për çdo person të dëmtuar.
Rritja do të vijojë çdo vit deri në arritjen e niveleve të përcaktuara nga standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas nenit 23 të projektligjit, pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kufiri minimal i mbulimit për dëmet ndaj personave do të arrijë në 6.45 milionë euro për çdo aksident, pavarësisht numrit të viktimave, ose 1.3 milionë euro për çdo person të dëmtuar, sipas alternativave të përcaktuara në ligj.
Ndërkohë, mbulimi minimal për dëmet ndaj pronës do të jetë 1.3 milionë euro për çdo aksident.
Këto shuma nuk përfaqësojnë pagesa automatike për personat e dëmtuar, por kufijtë e përgjegjësisë që duhet të marrin përsipër kompanitë e sigurimit.
Megjithatë, rritja e ndjeshme e kufijve të mbulimit mund të sjellë kosto shtesë për siguruesit, të cilët do të duhet të garantojnë shuma më të mëdha në rast aksidentesh me pasoja të rënda.
Kjo mund të ndikojë në përllogaritjen e primeve të sigurimit dhe në kostot e risigurimit, duke krijuar hapësirë për shtrenjtimin e policave TPL që paguhen çdo vit nga pronarët e automjeteve.
Megjithatë, projektligji nuk përcakton ndonjë rritje automatike të çmimit të siguracionit. Efekti konkret do të varet nga vlerësimi i rrezikut, dëmet e pritshme dhe politikat e tarifimit të secilës kompani.
Sipas nenit 53, kompanitë do të vazhdojnë t’i përcaktojnë vetë tarifat e sigurimit të detyrueshëm, duke marrë në konsideratë historikun e dëmeve dhe faktorë të tjerë të rrezikut.
Shoqëritë e sigurimit do të jenë të detyruara të njoftojnë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të paktën 30 ditë përpara aplikimit të tarifave të reja, duke depozituar argumentimin teknik dhe vlerësimet aktuariale.
Projektligji parashikon gjithashtu se tarifat e sigurimit të detyrueshëm nuk mund të ndryshohen më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik, gjatë periudhës deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në këtë mënyrë, ndërsa reforma synon të rrisë mbrojtjen financiare të personave të dëmtuar në aksidente, ajo mund të sjellë edhe rritje të kostos së sigurimit të detyrueshëm për drejtuesit e automjeteve. /skyweb.al
















