Eksportet shqiptare ngadalësuan ndjeshëm ritmin e rritjes në tetor, duke u zgjeruar me vetëm 1,5%, nga 14,8% që ishte rritja në shtator. Rënia e eksporteve të materialeve të ndërtimit dhe metaleve, si dhe tkurrja e vazhdueshme e tekstileve dhe këpucëve, ndikuan në këtë ecuri.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, eksportet arritën në 31,6 miliardë lekë në tetor. Tkurrjen më të madhe e shënuan materialet e ndërtimit dhe metalet, me rënie 14%, ndërsa eksportet e tekstileve dhe këpucëve u ulën me 8,4%, pas rënies prej 16,2% në shtator.
Për periudhën janar-tetor, eksportet arritën në 310,5 miliardë lekë, me rritje 6,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, tekstilet dhe këpucët vijojnë të mbeten grupi kryesor i eksporteve, me rreth 26% të totalit, pavarësisht rënies vjetore prej 8,9%.
Përfaqësues të industrisë fason kanë ngritur shqetësimin për dobësimin e konkurrueshmërisë, duke ia atribuar atë rënies së euros dhe rritjes së kostove të prodhimit. Ata kërkojnë mbështetje për prodhuesit dhe eksportuesit, si dhe investime në teknologji për të kaluar drejt produkteve me vlerë më të lartë të shtuar.
Ndërkohë, eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike shënuan rritje 24,8% në 10-mujor, duke arritur në 67,1 miliardë lekë. Ky grup dha kontributin më të madh në zgjerimin e eksporteve gjatë kësaj periudhe.
Në të kundërt, importet vijuan të rriten, duke arritur në 87,5 miliardë lekë në tetor, ose 9,8% më shumë se një vit më parë. Si pasojë, deficiti tregtar u zgjerua me 15,1%, në 55,9 miliardë lekë. /skyweb.al
















